Dy shkencëtarë ndajnë Çmimin Nobel për Kimi
Dy shkencëtarë janë shpërblyer të mërkurën me Çmimin Nobel për Kimi, për punën e tyre në “zhvillimin e organo-katalizës asimetrike”.
Në deklaratën e Komitetit të Nobelit është thënë se Benjamin List nga Gjermania dhe David MacMillan nga ShBA-ja kanë fituar çmimin prestigjioz për zhvillimin e një “pajisjeje të re precize”, e cila përdoret për zbulimin e barnave të reja dhe krijimin e molekulave që mund të kapin dritën nga celulat diellore.
Teknika, e quajtur organo-kataliza asimetrike, e ka bërë shumë më të lehtë prodhimin e molekulave asimetrike – kimikate që ekzistojnë në dy versione, ku njëra është pasqyrë e tjetrës.
Fituesit e Çmimit Nobel do të marrin një medalje ari dhe do të ndajnë mbi 1.1 milion dollarë.
Ndarja e çmimeve Nobel për sivjet nisi të hënën, kur është dhënë çmimi për zbulimet në fushën e mjekësisë.
Të martën është dhënë çmimi për fizikë, ndërsa çmimet për letërsi, paqe edhe ekonomi do të ndahen në ditët në vazhdim.