Dy sindikata protestuan kundër Ligjit për paga
Sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, kanë protestuar Sindikata e Korporatës Energjike të Kosovës dhe punëtorët e Shërbimit Korrektues të Kosovës, me kërkesën për rishikimin e Ligjit për paga, që, siç thonë, është i padrejtë.
Zenun Sadikaj, kryetar i Sindikatës së punëtorëve në Shërbimin Korrektues ka thënë se kërkesë kryesore e tyre është rritja e koeficientit nga 1.85 në 2.2 si dhe caktimi i rrezikshmërisë në 40 për qind.
Ai ka thënë se punëtorët e Shërbimit Korrektues e ndjejnë veten të anashkaluar në krahasim me FSK-në, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës.
Kurse Nexhat Llumnica nga Sindikata e punëtorëve të KEK-ut, ka pohuar se Ligji për paga duhet të rishikohet.
Ai i ka bërë thirrje presidentit të vendit që mos ta dekretojë Ligjin për paga.
“Kërkojmë nga presidenti Hashim Thaçi, që mos të dekretojë këtë ligj, pikërisht amendamentin ku përshihet Korporata Energjetike e Kosovës, i bëjmë thirrje institucioneve që të shikojnë këtë ligj dhe ta bëjnë në favor të ndërmarrjeve publike e jo në degradimin e tyre”, ka thënë Llumnica, transmeton “Rel”.
Ligji për pagat i miratuar në Kuvendin e Kosovës më 2 shkurt, vazhdon të kundërshtohet nga disa sindikata të punëtorëve në sektorin publik.
Aktualisht në Zyrën e Presidentit të Kosovës, kanë shkuar disa ankesa nga sindikata të ndryshme, duke kërkuar mosnënshkrimin e ligjit, procedurë kjo që mundëson hyrjen në fuqi të ligjit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se do t’i shqyrtojë me kujdes vërejtjet e të gjitha kategorive, para se të nënshkruajë ligjin.