Dy studentë vëllezër heronj
Shkruan: Agron Hoti
Një këngë kjo kushtuar pavdekësisë së dy studentëve heronj të kombit shqiptar, vëllezërve Bedrush e Feim Avdi Gashi nga Drenoci i Komunës së Rahovecit. Bedrushi ishte student i makinerisë, ndërsa Feimi i bujqësisë, që të dy pranë Universitetit të Prishtinës.
Krahas studimeve ishin ndër të parët në Komunën e Rahovecit që iu bashkangjitën Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës derisa ranë në altarin e lirisë.
Bedrushi e Feimi e qindra Bedrusha e Feima të tjerë e dëshmojnë më së miri se UÇK lindi mu në mes të Universitetit të Prishtinës, ku për shqiptarët kishte filluar dritarja e botës së diturisë, sikurse që kishte filluar nëpër universitete edhe për çdo komb tjetër në botë.
Nuk duhet harruar kurrë se edhe Universiteti i Prishtinës nuk na kishte ardhur falas, por me gjak e sakrificë patriotësh shqiptarë që s’kursyen as jetën për kombin që i lindi dhe rriti.
Ndërkohë Serbia me armatën e jugonostalgjikëve shqiptarë që po lëshojnë rrënjë çdo ditë e më shumë nëpër institucionet e shtetit të Kosovës të fituar me gjak e sakrificë të paparë njerëzore mbi 100 vjeçare, ende përpiqen ta ndërtojnë rrëfimin dhe frymën se UÇK ishin ca ruralë të pashkolluar e të prapambetur.
E kuptueshme, ngase kjo armatë jugonostalgjikësh shqiptarë janë shkolluar në Beograd në një frymë tërësisht antishqiptare, ndërsa UÇK ishte brumosur në Prishtinë, ku rinia studentore shqiptare po mobilizohej kundër pushtuesit serb.
Bedrushi e Feimi ishin mes qindra e mijëra ushtarëve të UÇK-së që u rreshtuan përkrah UÇK-së për ta çliruar Kosovën, lirinë e së cilës po e gëzojmë sot i madh e i vogël.
Vetëm jugonostalgjikët shqiptarë ndihen të pushtuar nga shteti i Kosovës sot, ngase ishin shumë mirë të akomoduar e privilegjuar gjatë sistemit jugosllav. Faleminderit Baki Xhaferi për këto vargje të bukura e të dhimbshme patriotike për dy studentët vëllezër heronj!
Lavdi e përulje të përjetshme për Bedrushin e Feimin dhe tërë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës!