Dy superndeshje në Ligën e Kampionëve
Skuadra e Barcelonës udhëton në Itali për t’u përbaltur me Napolin në ndeshjen e parë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve.
Të dyja këto skuadra në ndeshjet e fundit kampionate kanë treguar formë të mirë dhe kanë arritur disa fitore radhazi. Barcelona e ka rimarrë kryesimin në La Liga pas fitores në fundjavë ndaj Eibarit (5-0), kurse vlen të ceket se në këtë ndeshje Lionel Messi ka shënuar plot katër gola. Gennaro Gattuso gjeti mjaft probleme kur mori drejtimin e Napolit dhe si pasojë humbi katër nga gjashtë ndeshjet e para. Kjo bëri që Napoli të bie në mesin e tabelës, çka nuk ishte e zakonshme për këtë klub në vitet e fundit. Tash ky klub është rikthyer dhe është duke luftuar për një vend që dërgon në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.
Trajneri i Napolit, Gennaro Gattuso, ka thënë se synon fitore në ndeshjen e parë kundër Barcelonës.
“Unë e di që do të përballemi me një ekip të shkëlqyer. Do të jem i kënaqur nëse luajmë me kokën lart, pa frikë. Ne e respektojmë kundërshtarin, por duam ta mundim atë. Kafaz për Messin? Nuk është vetëm ai te Barcelona, do të duhet të zhvillojmë një lojë të shkëlqyeshme në nivel kolektiv. Për mua, Messi është lojtari më i madh, për mënyrën si e ka jetuar karrierën e tij, një shembull për futbollin botëror. Asnjëherë, asnjë fjalë jashtë vendit. Lojtar dhe njeri i përsosur. E shoh atë të bëjë disa gjëra, që njerëzit zakonisht i bëjnë në ‘playstation’. Messi është më i miri i të gjitha kohëve”, ka thënë Gattuso.
Ndeshje interesante do të zhvillohet edhe në Angli në mes të Chelseat dhe Bayern Munchenit. Chelsea do të luajë ndaj “bavarezëve” me motiv shumë të lartë, pasi shënoi fitore në ndeshjen e fundit kundër Tottenham Hotspurit (2-1), por edhe Bayerni e ka lart moralin sepse është ne vendin e parë në Bundesliga dhe ka marrë fitore në ndeshjen e fundit ndaj Paderbornit.
Të martën takohen:
21:00 Napoli – Barcelona
21:00 Chelsea – Bayern Munchen