Dy të vdekur nga Covidi në Kosovë, Vishaj: S’ka vend për panik
Drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, ka thënë se dy pacientët që kanë vdekur nga Covid-19, kishin edhe sëmundje tjera kronike.
Përmes një videomesazhi, Vishaj ka thënë se njëri pacient ishte 80-vjeçar, ndërsa tjetri 67-vjeçar. Ai ka thënë se aktualisht në këtë klinikë janë duke u trajtuar 10 pacientë, dy nga ta janë me oksigjeno-terapi.
“Aktualisht në Klinikën Infektive i kemi të spitalizuar gjithsej 10 pacientë, dy nga ta janë me oksigjeno-terapi. Dy ditë më parë në Klinikën Infektive dy pacientë kanë përfunduar me vdekje. Njëri në moshën 80 -vjeçare i cili ka qëndruar në këtë klinikë dy orë ngase ka pasur sëmundje tjera të rënda kronike. E pacienti tjetër në moshën 67 vjeçare i cili rëngonte nga sëmundje të rënda kronike që ishte duke u trajtuar më përpara në Klinikën Infektive”, ka thënë Vishaj, duke shtuar se nuk ka vend për panik.
“Për momentin në Klinikën Infektive kemi mjaftueshëm oksigjeno-terapi, kemi barna dhe staf mbështetës mjaftueshëm. Mendoj që nuk ka nevojë për ndonjë panik, ne jemi duke e përcjellë me vëmendje të shtuar situatën epidemiologjike dhe varësisht nga situatat do të veprojmë konform situatës e cila vjen”, ka thënë Vishaj.