Dy të vdekur nga vërshimet në Spanjë
Dy njerëz kanë vdekur dhe një tjetër është zhdukur të hënën, si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga shirat e mëdha gjatë fundjavës në Spanjë.
Stuhia e fundjavës e goditi pothuajse tërë vendin. Kadiz, Tarragona dhe Kastello ishin provincat e goditura nga shirat më të mëdha të dielën, sipas Zyrës Meteorologjike Aemet.
Dy njerëz vdiqën në provincën Toledo, si pasojë e stuhisë, tha kryetari i qeverisë rajonale të Kastillas, pa dhënë ndonjë hollësi.
Mediat spanjolle raportuan se një burrë u gjet i vdekur nga policia gjatë kërkimeve në një rrugë afër qytetit Bargas, derisa një burrë tjetër vdiq derisa ekipet e shpëtimit po mundoheshin të arrinin te ai në qytetin Kasarubios del Monte.
Shërbimet emergjente janë në kërkim të një burri, i cili u zhduk pasi vetura e tij u përmbyt në një lumë të hënën në mëngjes në zonën rurale, Aldea del Frenso, në perëndim të Madridit.
Zjarrfikësit e gjetën djalin e tij 10-vjeçar – i cili ishte në veturë me të dhe fillimisht u raportua si i zhdukur – të hënën në maje të një peme.
Një ditë më herët, shërbimet emergjente i kishin shpëtuar nënën dhe motrën e djaloshit.
“I gjori djalë e kaloi natën në një pemë”, tha kryetarja e qeverisë rajonale të Madridit, Isabel Diaz Ayuso.
Familja, e cila jeton në rrethinën e Madridit, Alkorkon, ishte duke qëndruar në një shtëpi pushimi të cilën e ka në pronësi në Aldea del Fresno kur goditi stuhia.
Ata kishin dalë në rrugë të alarmuar nga vërshimet e mëdha, sipas saj.
Disa ura u shemben në Aldea del Frenso dhe shiu i madh i mori me vete shumë vetura, sipas agjencisë së lajmeve “AFP”.