Dy-tri ditë kam qenë i vdekur, s’di çka me kallëzu për këtë kiamet virus
77 vjeçi nga Stublla e Epërme është i pari shqiptar nga Kosova i cili është infektuar me koronavirus.
Për gjendjen shëndetësore të vetën në ato ditë, për Memory të Klan Kosovës Mihill Martini ka rrëfyer shumëçka. Por, para se t’ia bëjnë testin e ta shtrijnë në spital për 14 ditë, ai kujton gjendjen: S’mund të lëvizja hiç. Atë natë flejta me tesha veshë. Me mundime isha vetë në dhomë, ma ligësht, ma mundim, s’e di ma, saqë s’mundsha në këmbë me qëndru, as ulë, se të rrija ulë më ish dokë si me ma dhanë Prishtinën”, kujton Martini gjendjen e vet shëndetësore pas infektimit.
Por Martini lutet që një sëmundje të tillë mos ta përjetojë askush.
“Aso ligështie, aso kiameti, as vet s’di çka me thanë. Zot mos ja ço as arushes, as thiut të egër këtë sëmundje çka ish”, është lutur ai.
“Temperaturë kisha nganjëherë. Dy-tri ditë kam qenë i vdekur. Nuk e di çka me tregu për këtë kiamet. Gruaja më ndihmonte me dalë në banjo. S’mundsha me ngranë bukë”, ka rrëfyer Martini.
Duke qenë se e përballoi këtë sëmundje, ai pati fjalë të mira për stafin e Klinikës Infektive.
“Për spital kushte ma të mira, ma interesim, nuk e di më. Për veti më pat shku mendja, pata thënë me më ra ndonjë sëmundje e rëndë, s’di qysh e kisha përballu në Kosovë”, ka shprehur mendimin Mëhill Martini, i cili ka ardhur nga Italia te familja e vet në Stubëll të Epërme.
Për gjendjen shëndetësore të tij ka folur edhe bashkëshortja e tij. Ajo ka thënë se po të mos ishin në Kosovë, bashkëshorti i saj sot nuk do të ishte gjallë.
“Doktorët shumë mirë u kujdesën. Më lanë dy javë me qëndru me të. Me pas qenë në Itali s’më kishin leju. Me pas qenë në Itali më kish vdekë burri”, ka shprehur bindjen ajo.