Dy-tri fjalë për mundësinë e procesit të lustrimit
Shyqyri Haxha
Institucionet shtetformuese të Kosovës do të duhej që patjetër të iniciojnë dhe kalojë në parlament ligjin e lustrimit. Lustrimi për rrethanat shumë komplekse të Kosovës është dashur të jetë obligim kushtetues. Nëse lustrimi nuk ndodh sa më shpejt atëherë shteti i Kosovës nuk do të mund të funksionoje, sepse në zemër të shtetit janë kuadro që nuk kanë kaluar nëpër asnjë ‘filtër’ që siguron qëndrueshmëri institucionale.
Lustrimi nuk është akt nacionalist dhe nuk do të duhet të përdorej për hakmarrje. Lustrimi do të duhej të përfshinte vetëm njerëzit që do të jenë pjesë e institucioneve të ndjeshme shtetërore.
Çdo shtet në botë që funksionon sot nuk lejon që njerëz me të kaluar të dyshimtë kombëtare të drejtojnë institucione shtetërore. Për disa institucione kyçe, dihet cilat janë ato institucione, do të duhet që edhe historinë e katragjyshit për t’ia zbuluar e lëre më mos të dihet asgjë për postet e tyre paraprake. Askush nuk do të duhet t’i frikësohet lustrimit.
Njerëz që ndoshta nuk do ta kalonin lustrimin, sot jo që janë mu në zemër të shtetit të Kosovës, dhe janë pikërisht këta njerëz që sot janë duke penguar inkuadrimin e njerëzve dhe kuadrove që vërtet kanë histori të pastër kombëtare dhe që do ta mbronin dhe zhvillonin shtetin e Kosovës.
Sot sistemi i drejtësisë dhe njerëz me histori të dyshimtë kombëtare përdoren për të njollosur, linçuar dhe eliminuar kuadro dhe njerëz të ndershëm që babë e babagjysh me gjenerata të tëra kanë kontribuar për atë vend. Njollosjet e tilla kryesisht sot bëhen nga njerëz që assesi nuk do ta kalonin procesin e lustrimit.
Lustrimi nuk do të duhej të përdoret për njerëz që nuk janë të inkuadruar në institucione dhe që nuk kanë të bëjnë asgjë me institucione, çdokush ka të drejtë të punojë edhe jetojë në Kosovë, por ku janë në pyetje pozita të larta shtetërore, dhe institucione të ndjeshme shtetërore ato do të duhej që patjetër t’i nënshtrohen procesit të lustrimit.
Procesi i lustrimit e mbron shtetin e Kosovës, pa lustrim nuk do të ketë shtet funksional kurrë. Kosova do të duhet që përfundimisht të ndërtojë institucione që i shërbejnë shtetndërtimit e jo institucione që i shërbejnë interesave të huaja.