![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2021/07/tropojsani.jpg)
DY TRIMAT TROPOJAN QË LAN GJYMTYRËT E TYRE PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS, AVNI MEMIA DHE BUJAR SYLAJ
Avni Memia, 1960, 39 vjeçar, nga Tropoja e Shqipërisë. (Në historinë e sëmundjes së pacientit shkruan se Tropoja gjendet në Serbi). Pacienti nën përcjelljen e policisë serbe sillet në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare nga Burgu i Dubravës së Istogut më 31.05.1999. Në diagnozën e shkruar shihet se pacienti ka pasur këto lëndime: Dg: Sepsis. Osteomyelitis egxogenes antebrachi lat.dex. pp. vulnus explosivum. Fractura multifragmentaris antebrachi dex. Op: Amputatio regio brachi lat.dex. (Sepsë. Infeksion nga shkaktar të jashtëm i kockës së nën bërrylit të djathtë për shkak të plagës eksplozive. Thyerje shumë pjesë e nën bërrylit djathtas. Operimi: Amputimi i krahut të djathtë). Në historinë e sëmundjes shkruan se pacienti është plagosur 9 ditë më parë nga bombardimi i NATO-s në Burgun e Dubravës së Istogut. Më 10.06.1999 me urdhër të personelit të burgut, e marrin pacientin dhe e dërgojnë në burgun e Lipjanit, si shkruan në fletë lëshim.
Bujar Sylaj, 1978, 21 vjeçar, nga Tropoja e Shqipërisë. Këtë të plagosur policia serbe e sjell në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare dy herë. Herën e parë më 31.05.1999 dhe mbahet i hospitalizuar deri më 02.06.1999, kurse herën e dytë policia serbe e sjell më 08.06.1999 për ta mbajtur deri më 10.06.1999 me numër të historisë 2309 dhe 230. Në bazë të numrit të protokollit dhe të historisë, shihet se ka pasur mjaft vende për të sëmurët, pasi që në intervalin prej 10 ditësh, shihet se janë pranuar vetëm 90 pacientë, ndërsa në fletë lëshimet e të plagosurve shqiptarë shkruante se lëshohen nga klinika për shkak të mungesës së vendeve. Në diagnozën e parë për Bujarin shkruante Dg: Vulnus explosivum region brachii posterior et femoris lat.sin. (Plagë eksplozive e krahut prapa dhe kofshës së majtë). Kurse në diagnozën e dytë shkruan: Dg: Vulnus explosivum femoris sin. Infectio vulneris. (Plagë eksplozive e kofshës së majtë. Infeksion i plagës). Në të dy fletë lëshimet shkruan se lëndimet i ka marrë pas bombardimit të NATO-s në Burgun e Dubravës në Istog. Ndërkaq, në historinë e sëmundjes, në të parën shkruan se Tropoja është në Serbi, ndërsa në të dytën shkruan se Tropoja është në Shqipëri. Me kërkesën e personelit të burgut, pas qëndrimit 2 ditësh në Kirurgji, pacienti merret dhe dërgohet sërish në burg, por nuk dihet se në cilin burg. [1]
Përjetimet e të plagosurit dhe të burgosurit të burgut të Dubravës
“Mbas shumë përplasjeve dhe humbjen e dy shokëve tanë Tahir Memia dhe Mehmet Dezdari, në përballjen me forcat serbe, te rrasa e Zogut ne të tjerët përfunduam në burgun e serbit! Trazhgim Kortoçi u lirua në sallën e gjyqit, kurse Avni Memia, Osman Kortoçi, Ilir Kortoçi, Ramiz Memia dhe unë Bujar Sylaj përfunduam në burgun e famshëm të Dubravës! Më datë 21.05.1999 jam plagosur nga bombardimet e NATO-s në këmbën e majtë. Sapo u plagosa i thashë Avnisë dhe në këtë moment jam rrotulluar dhe kam provuar këmbën a ka shpëtua kocka. Sokol Syla ka zgjatur dorën dhe ma ka vu në gjoks e më tha ka je ka shkon? Unë i thashë nuk kam asgjë, në ketë moment ka ardhë predha tjetër që plagosi Avni Meminë i cili po griste një këmishë për të ma lidhur këmbën mua. E harrova veten kur e kam parë Avnin e plagosur! Më datë 22.05.1999 jam plagosur në krahun e majtë nga forcat serbe. Kam qenë i shtrirë tek fusha e sportit aty ku është bërë masakra e madhe nga forcat serbe (gardianë, policë paramilitarë dhe të burgosur serbë). Më datë 24.05.1999 na dërguan në burgun e Lipjanit. Me datë 31.05.1999 me çuan në Spitalin e Prishtinës ku më mbajtën dy net dhe më kthyen në Lipjan. Më 07.06.1999 ndihesha shumë keq, këmba kishte marrë infeksion të madh, jam ngritur në këmbë me shumë vështirësi dhe mezi kam shkuar deri tek dera e dhomës. Shokët më thoshin mos i bie derës se të vrasin, jashtë kërciste nga të gjitha anët. Shaban Rama më tha mos shko se ta presin këmbën, i humbur isha nuk kisha tjetër rrugë! I kam ra derës dhe e ka hapë gardiani. Më tha çka donë? Dua mjekim për këmben, – i thashë – Jam shumë keq. Më ka bërtite dhe e ka mbyllë derën me forcë. Të nesërmen më kanë marrë bashkë me Avniun dhe disa të tjerë dhe na kanë çue në Spital në Prishtinë. Ideja e të qenit në Spital të jepte shpresë për jetë por qëndrimi aty ishte torturë ne vete, vinin lloj-lloj njerëzish të armatosur, na kërcënonin dhe na gjuanin me armët e tyre! Gjatë qëndrimit dy ditor në Spital një grua më ka folur shqip.
(Marrë nga “Facebook” i doktorit Salih Krasniqi)