Dy ushtarakë të FSK-së marrin pjesë në garën e kampit ndërkombëtar të NATO-s
30 mars 2022
| 11:08
Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se dy nënoficerë të FSK-së, Flamur Kajtazi dhe Besart Kasumi kanë marrë pjesë në Kampin ndërkombëtar “Winter Camp Slovenia 2022”, në mesin e 44 garuesëve ushtarakë nga shtete anëtare të NATO-s.
Mehaj ka thënë se rreshteri Besart Kasumi ka zënë vendin e tretë në këtë garë.
“Pas përfundimit të kampit dimëror ndër aktivitete të ndryshme ishte dhe gara e skijimit në disiplinën e sllallomit të madh në skijimin alpin. Në konkurrencë shumë të madhe, rreshter Besart Kasumi nga Qendra Ndërkombëtare e Trajnimeve të Kërkim Shpëtimit (QNTKSh) zuri vendin e tretë. Vazhdojmë me suksese të radhës”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e vet në “Facebook”.