Dy viktima dhe 25 të plagosur. Detaje nga sulmi në Mannheim të Gjermanisë. Policia arreston autorin

03 mars 2025 | 21:08

Dy të vdekur dhe 25 të plagosur është bilanci i asaj që duket një akt terrorist, që ndodhi rreth orës 13:15 të kësaj të hëne në Mannheim të Gjermanisë.

Një automjet hyri me shpejtësi në një zonë këmbësorësh në qendër të qytetit jugperëndimor të Gjermanisë, duke goditur turmat e kalimtarëve që frekuentojnë zonën kryesisht për të vizituar disa qendra tregtare që ndodhen atje.

Mediat gjermane bëjnë të ditur se policia arrestoi drejtuesin e automjetit, ndërsa nëpër qytet është duke u zhvilluar një operacion i gjerë antiterror.

Qytetarëve u janë dërguar mesazhe që të shmangin përkohësisht frekuentimin e zonës së qendrës.

15 prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mannheim ndodhet në veri të landit Baden-Württemberg në kufirin me Hessen dhe Rheinland-Pfalz. Qyteti ka rreth 320.000 banorë dhe është qyteti i dytë më i madh në Baden-Württemberg.

Sulmi i së hënës të kujton një seri sulmesh në Gjermani të kryera në javët dhe muajt e fundit. Më 13 shkurt, një burrë iu sul me një automjet një demonstrate në Mynih.

Në sulmin në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg në dhjetor, gjashtë persona u vranë dhe rreth 300 u plagosën, shumë prej tyre në gjendje të rëndë. Sulmuesi ishte një mjek nga Arabia Saudite, që jetonte në Saksoni-Anhalt, e kishte ardhur në Gjermani nga viti 2006. Ai drejtoi një makinë në tregun e Krishtlindjeve në qytetin e vjetër të Magdeburgut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Shabani e Muharrem Qerimi gjatë kësaj jave do të…