Dy vjet nga vrasja e trefishtë në Gllogjan, rasti ende pa epilog
Mbrëmjen e 26 nëntorit të vitit 2021 në Gllogjan të Deçanit, një autobus që po transportonte nxënës nga Gjakova për në Deçan, u sulmua me breshëri plumbash nga persona të panjohur.
Si pasojë e kësaj vdiqën tre persona, shoferi i autobusit dhe dy nxënës të moshës 17-vjeçare.
Por disa javë më vonë, Policia arriti të arrestojë të dyshuarit për këtë rast. Kastriot, Kreshnik dhe Halil Mehmetaj, tashmë përballen me akuza për vrasjen e trefishtë që ndodhi dy vjet më parë.
Megjithatë, për këtë rast deri më tash është mbajtur vetëm seanca fillestare gjyqësore, dhe është konfirmuar aktakuza.
Avokati i familjes Gjokaj, shoferit të autobusit që u vra, thotë se presin që gjykata të japë vendim meritor për këtë rast.
“Tash jemi në fazën e shqyrtimit kryesor është refuzuar kërkesa e mborjtjes për hedhjen e aktakuzës pra në një mënyrë aktakuza është konfirmuar dhe tash vazhdojmë më tutje me procedurën…Familja është shumë e shqetësuar por procedurat nuk mund të i ndryshojmë, po presim epilogun pozitiv të kësaj çështje”, ka thënë Arianit Koci- Avokat i familjes Gjokaj.
Ndërsa, sipas zëdhënësit të prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, megjithëse ky rast në fillim kishte pista të ndryshme të hetimeve, është arritur në një përfundim për të akuzuarit.
“Prokuroria në afatin optimal përkundër ndjeshmërisë së rastit, mënyrës se si është kryer kjo vepër penale, pistave të shumta hetimore kemi arritur që të i përfundojmë këto hetime e të grumbullojmë prova, bëhet dyshimi i bazuar mirë që të njëjtit janë kryrës të kësaj vepre penale dhe njëkohësisht sic e thashë prokuroria e cështjes gjatë shqyrtimit gjyqësor do ta mbrojë këtë aktakuzë dhe do të kërkojë nga trupi gjykues që të njëjtit të shpallen fajtor ku njëkohësisht do të ballafaqohen edhe me prova të prokurorisë lidhur me përgjegjësin penale të këtyre”, ka theksuar Shkodran Nikçi – Zëdhënës i Prokurorisë në Pejë.
Tre të akuzuarit në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm lidhur me veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, “Shtytje në vrasje të rëndë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, cak i vrasjes kishte qenë shoferi i autobusit, tani i ndjerë, dhe se vrasja kishte ndodhur si hakmarrje.
Të akuzuarit, sipas Prokurorisë, në marrëveshje e bashkëveprim me njëri-tjetrin kishin studiuar terrenin me kujdes, duke u siguruar se nuk ka mbulueshmëri të kamerave dhe shtëpi në afërsi, duke i zënë priten autobusit./Dukagjini/