Dy zyrtarë në ministri dolën pozitiv me Covid, kisha kontakt me të dytë
Ministri i Arsimit Ramë Likaj, ka bërë të ditur se dy zyrtarë në Ministrinë e Arsimit kanë rezultuar pozitiv në koronavirus.
Likaj në Klan Kosovë, tha se ky i fundit ka pasur kontakt me ta por nga distanca.
“Dy zyrtarë në ministrinë e arsimit janë pozitiv me COVID-19, unë kam pas kontakt me ta, nga distanca”, tha ai.
Drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë, Bujar Gashi, ka thënë se nga14 rastet e fundit me koronavirus, 5 prej tyre janë lajmëruar në Klinikën Infektive, të cilët nuk janë raste kontakti dhe nuk dihet se nga janë infektuar.
“Ekzistojnë raste të cilat i testojnë në komunën e Prishtinës, të cilat janë raste kontakti, numri i rasteve të cilët janë lajmëruar direkt në Klinikën Infektive, janë 5, të cilët pritet që të kuptojmë për mënyrën se si janë infektuar”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, për fëmijët e dy çerdheve në kryeqytet, janë marrë mostrat për testim por ende nuk ka dalur rezultati i tyre.
“Aktualisht ne sot kemi marrë testimet e mostrave të cilat janë marrë me datën 16, ndërkaq ato të djeshmes dhe sot, realisht ne mund t’i presim pas dy ditëve, që i bie me datën 20, të fëmijëve të dy çerdheve”, është shprehur Gashi.