Dybala e dërgon Juven në krye
Juventus nuk njeh lodhje. Pak ditë pas kualifikimit të suksesshëm në “Wembley” të Londrës, skuadra e Max Allegrit ka mposhtur 2-0 Udinesen në “Allianz Stadium”.
Një pasdite e këndshme për Bardhezinjtë megjithëse gjatë gjithë kohës ka rënë një shi i imët në Torino. Vendasit dukeshin të sigurt dhe me vendosmëri kanë marrë një tjetër fitore në Serie A dhe tani kryesojnë renditjen me po aq ndeshje sa Napoli që gjithsesi luan sot në mbrëmje në “San Sir ndaj Interit. Nuk duhej shumë për Juventus të zhbllokonte rezultatin me Dybalan në minutën e 20’ me një supergol nga goditja standarde.
Pas tij, pak minuta përpara se të përfundonte pjesa e parë Higuain kishte mundësinë më të mirë për të dyfishuar rezultatin por sulmuesi argjentinas ka humbur një tjetër penallti. E pafalshme për Higuain, por Dybala është në një superformë dhe pas pushimit shënon dopietën e tij, raporton “Telesport” .Dy gola të rëndësishëm për argjentinasin, dhe Juve-s i mbetet vetëm të ruajë rezultatin, diçka që di ta bëjë shumë mirë ndaj skuadrave inferiore si Udinese, që asnjëherë nuk u tregua e rrezikshme në zonën vendase.