Dybala në gjurmët e Messit
Pas golit “alla Del Piero”, tashmë Juventu si ofron edhe golin “alla Dibala”.
Goditja e harkuar me të majtën nga jashtë zone, shpeshherë në shtyllën e dytë, është specialiteti i numrit 10 bardhezi, i cili jo vetëm mbylli ndeshjen me Bolognën, por në të njëjtën kohë konfirmoi momentin e artë të argjentinasit në këtë sezon dhe faktin se pikërisht 26-vjeçari ka qenë lojtari më në formë dhe më protagonist i sulmit të “Zonjës së Vjetër”.
Goditjet e Dybalës tashmë janë bërë aq të frikshme, por njëkohësisht edhe spektakolare, sa edhe uebsajti i UEFA-s nuk ka qëndruar indiferent, duke ofruar të gjitha golat e ngjashëm të juventinit, si ai i shënuar mbrëmjen e të hënës në stadiumin “Dall’Ara”, për të vlerësuar gjestin balistik të argjentinasit. “Specialiteti është i shërbyer”, postonte UEFA, ndërsa poshtë tij ndiqte video me perlat e futbollistit amerikano-jugor.
SI MESSI – Madje, këto magjira të Paulo Dybalës, sidomos saktësia që sulmuesi tregon nga jashtë zonës së rreptësisë kundërshtare, kanë tërhequr vëmendjen edhe të uebsajtit statistikor “OPTA”, i cili ka marrë në shqyrtim 5 sezonet e fundit të pesë kampionateve më të rëndësishme të kontinentit. Studimi nënvizon se nga sezoni 2015-2016 e deri më sot, vetëm Lionel Messi ka goditur drejt portës rivale më shumë topa në rrjetë sesa Dybala.
Ylli i Barcelonës dhe shoku i kombëtares së Paulos ka realizuar 40 gola nga jashtë zonës rivale, ndërsa juventini ka goditur në “thes” 20 herë, që kur ka veshur bluzën bardhezi. Sikur të mos mjaftonte kjo, Paulo Dybala ka konfirmuar edhe trendin pozitiv kur sheh përballë Bolonjën. Të hënën në mbrëmje, numri 10 i “Zonjës së Vjetër” e goditi për të shtatën herë rivalin kuqeblu, ndërkohë që ky ishte goli i tij i tetë në Serinë A dhe i 14-ti sezonal (1 në Superkupën e Italisë, 2 në Kupën e Italisë dhe 3 në Champions).
Të tjera shifra që tregojnë efikasitetin e Dybalës në lojën juventine janë edhe 87.5 për qind saktësi në pasime (1060 të ofruara, nga të cilat 928 të sakta), apo edhe 4 asiste dhe 48 raste për gol të ndërtuara personalisht. Shkurt, kjo Juve nuk mund të bëjë pa Dybalën!.