Dyfishohet numri i kërkesave të ballkanasve për viza pune në Gjermani
Gjermania është duke u përballur me dyfishim të kërkesave për viza pune nga vendet ballkanike, ndërsa diplomatët e tyre në rajon më nuk janë në gjendje t’i përpunojnë të gjitha kërkesat, shkruan “Shpigel”.
Siç ka transmetuar televizioni “Alsat-M”, ambasadat e Gjermanisë në Maqedoni, Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë, Serbi dhe Mal të Zi kanë marrë 52.000 kërkesa të tilla në gjysmën e parë të vitit 2018, që është dy herë më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015.
Më së shumti viza pune jepen në sektorin e ndërtimtarisë, hotelerisë, kujdesit për pleqtë dhe personat e sëmurë.
“Numri i kërkesave të pranuara i tejkalon kapacitetet e përfaqësive tona konsullore, që solli deri në ankesa të shumta nga ana e përfaqësuesve të shoqërive ekonomike, politike dhe qytetare”, është thënë në raportin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë të cilin e ka publikuar “Shpigel”.