Dyshime për inskenim aksidentesh, një person i përfshirë në 29 aksidente gjatë dy viteve
Në 29 aksidente trafiku brenda dy viteve është përfshirë një burrë rreth 40 vjeç nga komuna e Prishtinës. Ai ka kërkuar kompensim në 9 kompani të sigurimeve. Kjo edhe ka bërë që të ngrihen dyshime për inskenim të aksidenteve në trafik me qëllim të përfitimeve materiale.
Nga Byroja Kosovare e Sigurimit thonë se shuma e paguar nga kompanitë e sigurimeve gjatë vitit të kaluar për personat që kanë pësuar lëndime të lehta trupore nga aksidentet në trafik kap vlerën e mbi 12 milionë e 324 eurove, shkruan RTK. Por, cilët janë shembujt kur një person është përshirë madje edhe në dhjetëra aksidente?
Rasti 1
Një person ka paraqitur 16 kërkesa në 7 kompani të sigurimeve për një periudhe 2-vjeçare ku janë të përfshirë 6 persona.
Rasti 2
Një person ka paraqitur 18 kërkesa në 8 kompani të sigurimeve për një periudhe 5 vjeçare ku janë të përfshirë 3 persona.
Rasti 3
Një person ka paraqitur 20 kërkesa në 8 kompani të sigurimeve për një periudhe 1-vjeçare ku janë të përfshirë 3 persona.
Rasti 4
Një person ka paraqitur 22 kërkesa në 9 kompani të sigurimeve për një periudhe 3-vjeçare ku janë të përfshirë 6 persona.
Rasti 5
Një person ka paraqitur 29 kërkesa në 9 kompani të sigurimeve për një periudhe 2-vjeçare ku janë të përfshirë 5 persona.
Rasti 6
Një person ka paraqitur 19 kërkesa në 8 kompani të sigurimeve për një periudhe 2-vjeçare ku janë të përfshirë 2 persona.
Policia e Kosovës nuk ka dhënë sqarime për rastet konkrete por ka treguar statistika të përgjithshme të aksidenteve.
Nga policia kanë thënë se gjatë tremujorit të parë janë raportuar 3 mijë e 114 persona të lënduar nga aksidentet në trafik, 127 më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Qytetarët që kanë pësuar lëndime të lehta trupore janë referuar për kontrolle mjekësore në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
“Në qendrën tonë ka raste mirëpo nuk janë raste të shpeshta që kërkojnë ndihmë për aksidente. Kur ka lëndime të lehta trupore, trajtimin e marrin në qendrën tonë, mirëpo nëse kanë lëndime më të rënda thirret urgjenca dhe bëhet transporti për në qendrën emergjente”, ka thënë Ilire Bunjaku, doktoreshë familjare në QKMF.
Nga Byroja e Sigurimeve të Kosovës kanë treguar se kompanitë e sigurimeve kanë paguar mbi 30 milionë e 544 mijë euro për dëmet e shkaktuara në aksidentet në trafik gjatë 2022-s. /rtk/