Dyshime për përdorim të gabuar të dozës së kontrastit te pacientët, nisin hetime në Radiologji
Disa muaj pas dyshimeve se Klinika e Radiologjisë kishte aplikuar gabimisht kontrastin për rezonancë magnetike te disa pacientë, Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur hetimet.
Prokurori i Odës së Mjekëve të Kosovës, Bajram Ajeti, nëpërmjet një përgjigje me shkrim ka konfirmuar se kanë nisur hetimet për kontrastin Clariscan i përdorur në Klinikën e Radiologjisë. Por, Ajeti ka thënë se nuk mund të japë informata më tepër për shkak të hetimeve në këtë rast, raporton KTV.
Por për këtë hetim nuk ka dashur të flasë drejtori i Klinikës së Radiologjisë, Bujar Gjikolli.
Në gusht të vitit të kaluar përmes një njoftimi drejtori i Klinikës së Radiologjisë kishte vendosur principet bazë të aplikimit të kontrastit paramagnetik sipas peshës trupore për kabinetin e rezonancës magnetike.
Në bazë të kësaj tabele, specialistëve u kërkohej që të aplikonin 1 ml kontrast për 10 kg deri në 10 ml për 100 kg peshë trupe, duke aplikuar kështu 50 % dozë më pak të kontrastit.
Por pas shumë shqetësimeve të ngritura dhe reagimit të operatorit ekonomik kjo ishte përmirësuar.
Në një letër, të cilën operatori ekonomik Amicus LL.C ia kishte dërguar SHSKUK-së, kishte kërkuar sqarime se përse Klinika nuk ishte duke e përdorur protokollin në pajtim me udhëzimet e prodhuesit dhe të EMA-s (Europian Medicine Agency).
Më tutje në këtë letër thuhej se kjo rrezikon direkt jetën e pacientëve derisa kishte kërkuar të dhëna se tek sa pacientë ishte zbatuar ky protokoll.
Në këtë letër gjithashtu sqarohej se si doza e saktë e këtij kontrasti që duhej të aplikohej ishte 0.1 milimol për peshë trupore .
Kryetari i Shoqatës së Pacientëve të Kosovës thotë se duhet të hetohet nëse kjo mënyrë e përdorimit të kontrastit ka mundur të ketë pasojë tek pacientët, derisa thotë se në rast se vërtetohet se një gjë e tillë ka ndodhur atëherë drejtori i Radiologjisë duhet të shkarkohet.
KTV-ja ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Inspektorati Shëndetësor nëse ky inspektorat ka nisur hetim për këtë çështje, por nuk kanë kthyer përgjigje.
Përgjigje nuk kanë dhënë as përfaqësuesit e kompanisë “Amicuss” në Prishtinë.
Në fillim të këtij muaji për këtë çështje kishte reaguar edhe QKUK-ja, e cila kishte thënë se kishte pranuar një letër nga drejtori i përgjithshëm i GE Healther (General Electric Healthcare), ku thuhej se distributori ‘Amicus’ nuk e ka marrë autorizimin nga GE-ja për t’i dërguar letër QKUK-së.
Në këtë njoftim të QKUK-së përveçse thuhej se “Amicus” nuk mund të flasë në emër të kompanisë, derisa aty nuk përmendej fare doza e aplikuar e kontrastit nga Klinika e Radiologjisë.