Dyshime të reja për vdekjen e Astorit
Para një viti bota e futbollit dhe jo vetëm, mori një goditje të rëndë duke qenë se kapiteni i Fiorentinës, Davide Astori ndërroi jetë në hotelin ku skuadra e tij ishte akomoduar. Fiorentina do të luante ndaj Udineses në Seria A, por në mëngjesin e ditës së ndeshjes, Astori nuk zbriti për të ngrënë dhe u gjet i vdekur në dhomë.
Hetimet për të vazhdojnë edhe sot, pasi ende nuk është gjetur arsyeja ekzakte që çoi në vdekjen e futbollistit. Fillimisht, u akuzua mjeku i tij që kishte kryer testet fizike dhe mjekësore pasi kishte vënë re se ka probleme me zemrën, megjithatë ai e kishte mbajtur të fshehtë këtë dhe e kishte lejuar Astorin që të luante.
Sot, ka dalë në skenë një tjetër hipotezë që lidhet sërish me mjekun Xhorxho Galanti. Ai e ka plotësuar letrën e Astorit sikur gjithçka është e rregullt, por në fakt duket se Astori nuk i ka kryer asnjëherë testet mjekësore për zemrën dhe për nivelin e stresit.
Kjo ka bërë që Astori të mbante një certifikatë false e lëshuar nga mjeku dhe i ndihmuar nga një tjetër person i cili ka punuar gjatë kësaj kohe për të fshehur gjurmët. Tashmë, Galanti mund të hetohet për shpërdorim detyre dhe neglizhencë që çoi në vdekjen e Astorit, si edhe për falsifikim.