
Dyshimet për keqpërdorim të 166 mijë eurove, BIK-u padit Bahri Rexhën
Këshilli i Bashkësisë Islame, ka mbajtur konferencë për media lidhur me dyshimet e raportuara se ish-arkëtari Bahri Rexha ka përvetësuar rreth 166 mijë euro.
Kryetari i KBI-së në Prishtinë, Bahri Sejdiu, ka thënë se janë marrë masa ligjore ndaj Bahri Rexhës, përfshirë këtu një padi civile dhe kallëzim penal.
Këshilli i Bashkësisë Islame në Prishtinë, theksoi se Rexha po tenton ta cenojë imazhin dhe integritetin e këtij institucioni, dhe se deklaratat e tij janë të pabaza.
“Pretendimet e tij janë të pabazuara dhe nuk mbështeten ne fakte apo prova konkrete. Ne si përfaqësues të Këshillit te Bashkësisë Islame të Prishtinës, sigurojmë të gjithë besimtarët se Këshilli dhe te gjitha organet e tij veprojnë ne përputhje të plotë me ligjin dhe standardet me te larta te transparencës dhe llogaridhënies. Çdo mjet financiar i besimtareve administrohet në mënyrë te ligjshme, dhe ne si Këshill, nuk do të lejojmë asnjë keqpërdorim te fondeve apo dëmtim te interesave te besimtarëve tanë”, tha Sejdiu.
Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinë ka ftuar organet kompetente që ta trajtojnë çështjen me seriozitet në mënyrë që e vërteta të dalë në pah dhe të merren masat e nevojshme.
Tutje Bahri Sejdiu ka theksuar se nuk janë prekur vitrat e qytetarëve.
“Janë fonde që janë direkt të lidhura me BIK-un, por i sigurojmë qytetarët që vitrat nuk janë prekur. Është keqpërdorur besimi pasi në fillim i kemi besuar”, ka shtuar Sejdiu.
Nga viti 2020 deri më 2022 parat e BIK dyshohet të jenë tërhequr nga arka “cash” pa mbulesë, e përmes llogarive bankare të kenë shkuar në llogari të ndryshme, herë me përshkrim të arsyes e herë pa të.
Rexha ka mohuar t’i këtë përvetësuar këto para. Ai arsyetohet se çdo faturë e ka vulën dhe nënshkrimin e eprorit të tij, kryetarit të Këshillit të Bashkësisë Islame në Prishtinë, Hetem Sopjani.