Dyshimet se fshehu pasurinë, prokuroria është duke e hetuar ministren Gërvalla
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla është duke u hetuar nga Prokuroria e Shtetit nën dyshim për veprën penale që ndërlidhet me “mos raportim ose raportim të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Laureta Ulaj.
Ulaj ka thënë se rasti tashmë është në fazën e hetimeve.
“Referuar pyetjeve tuaja, lidhur me kallëzimin penal kundër D.G., në drejtim të veprës penale ‘Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, iu njoftojmë se rasti është në fazën e hetimeve”, ka thënë Ulaj për “Express”.
Siç kishte raportuar më herët “Betimi për Drejtësi” vitin e kaluar, ministrja Gërvalla nuk i kishte deklaruar dy pozita – një në biznesin e saj në Gjermani dhe tjetrin në një OJQ në Kosovë dhe as nuk ka treguar për pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj në deklarimin që ka bërë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).