![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2024/12/Gjykata-Vendim.jpg)
Dyshohet se e dhunoi një të mitur në një toalet publik në Ferizaj, një muaj paraburgim për F.I.
Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit kundër të pandehurit F.I. për shkak të dyshimit se në vazhdim ka kryer veprën penale ‘dhunimi’.
Ai dyshohet se nga fundi i janarit të këtij viti deri në fillim të shkurtit në vazhdimësi kishte detyruar një të mitur të kryejë akt seksual me të në një toalet publik të një ndërtese në Ferizaj.
“Ekziston dyshimi i bazuar, se nga fundi i muajit janar 2025 deri në fillim të muajit shkurt 2025, në vazhdimësi në një rrugë të Ferizajt, përkatësisht në tualetin publik të hyrjes së një ndërtese afër lokalit “T.” pronë e të pandehurit, i pandehuri ka detyruar të dëmtuarën e mitur e moshës njëmbëdhjetë (11) vjeçare, që të kryej akt seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë derisa kishte shkuar në lokalin që gjendet në hyrje të banesës së saj ku i pandehuri shiste cigare – gjëra ushqimore, i pandehuri e kishte marrë të dëmtuarën e kishte quar në tualet publik në hyrje të banesës, në të cilën i pandehuri kishte kryer akt seksual dhe sipas të dëmtuarës rast i njëjtë kishte ndodhur edhe një herë tjetër para disa ditëve”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda Ilir Bytyqi, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.