Dyshohet se një nga vrarët në veri është dora e djathtë e Milan Radojiçiçit

25 shtator 2023 | 17:31

Në mesin e terroristëve të vrarë nga aksioni i Policisë së Kosovës në hyrje të fshatit Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – dyshohet të jetë edhe Stefan Nedeljkoviç, bashkëpunëtor dhe “dora e djathtë” e nënkryetarit të Listës Sërpska- forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – Milan Radojiçiç, i cili ndodhet në arrati nga organet e drejtësisë.

Policia e Kosovës nuk i ka konfirmuar akoma identitetet e asnjërit prej katër terroristëve të vrarë në pjesën veriore të vendit, por në bazë të fotografive dhe informacioneve të Albanian Post (AP), në mesin e të vrarëve është edhe Nedeljkoviçi, i cili dyshohej për organizimin dhe udhëheqjen e trazirave në Zveçan në fund të muajit maj, ku për pasojë u plagosën rëndë dhjetëra persona.

Më 29 qershor, ai do të shpallej terrorist me vendim të Qeverisë së Kosovës. Ai ishte pjesë e grupit terrorist “Severna Brigada” që dyshohet se udhëhiqet nga Radojiçiçi. Megjithatë, në një listë të pagave që kishte siguruar AP, emri i Nedeljkoviçit figuronte në mesin e rreth 500 personave të “Mbrojtjes Civile” që merrin rrogë mujore nga institucionet kosovare.

E gjatë ditës së hënë është gjetur trupi i pajetë i një terrorisi serb që dyshohet se sulmoi Policinë e Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës në hyrje të fshatit Banjskë, ku u shua jeta e një zyrtari policor, duke e çuar në katër numrin e terroristëve të vrarë deri më tani nga aksioni policor në pjesën veriore të vendit.

Gjithashtu, bëhet me dije se në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një automjet tjetër me armatim, pas zinxhirit të gjatë të armatimeve të kapura nga Policia e Kosovës të dielën në dhe përreth Manastrit të Basnjkës. Trupi i pajetë është gjetur rreth 1.5 kilometra larg vendit të ngjarjes, diku në malet e Basnjkës.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, deklaroi se janë gjetur dokumente që dëshmojnë pjesëmarrjen potenciale të kriminelit Radojiçiç në sulmet e së dielës në veri. Ai tha para mediave në Prishtinë se brenda objektit të Manastirit të Banjskës janë gjetur edhe harta e plane për sulm ndaj Policisë së Kosovës.

Gjithçka filloi në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit, kur një grup i armatosur rëndë në hyrje të fshatit Banjskë në veriun e territorit të banuar kryesisht me serbë etnikë, qëlluan me armë zjarri mbi trupat e Policisë së Kosovës, duke vrarë rreshterin e Policisë së Kosovës dhe plagosur dy të tjerë.

Grupi që ngriti në nivele të larta shkallën e egërsisë në veri, sipas autoriteteve kosovare, nuk ka qenë në përbërje të civilëve të rëndomtë që ngrenë krye herë pas here në këtë zonë, por ka ngërthyer brenda vetes së paku 30 pjesëtarë të trajnuar, ushtarakë e paramilitarë, të cilët janë sponsorizuar nga shteti serb.

Pjesëtarët e këtij grupi, pas vrasjes së policit kosovar në krye të detyrës dhe plagosjes së dy policëve të tjerë, gjetën strehë në Manastirin e Banjskës, ku u barrikaduan për orë të tëra dhe shkëmbyen të shtëna me organet e rendit gjatë gjithë ditës së dielë, duke tentuar të provokonin kryengritje më të gjërë.

Kjo bandë që cenoi sigurinë dhe paqen në veriun e trazuar të vendit, u neutralizua nga Policia e Kosovës dhe operacioni policor gëzoi mbësheje të gjërë ndërkombëtare. Tre pjesëtarë të bandës terroriste u vranë, dy të tjerë u plagosën dhe gjashtë u arrestuan, ndërsa të tjerët u arratisën në Serbi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
N.T.SH “B1”, shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me numër:…