Dyshohet se polici në Prizren vrau vajzën, pastaj veten

16 dhjetor 2020 | 08:16

Një ngjarje e rëndë mbrëmë ka tronditur Prizrenin. Babë e bijë janë gjetur të vdekur në shtëpinë e tyre. Dyshimet e para janë se babai fillimisht e ka vrarë vajzën e pastaj veten. 52-vjeçari, pjesëtar i Policisë së Kosovës, aktin dyshohet se e ka kryer me armën zyrtare. Kishte 20 vjet që po punonte në Policinë e Kosovës. S. M nga Prizreni, 52 vjeç, dyshohet se pikërisht me armën zyrtare e ka vrarë vajzën 21 vjeçe, pastaj edhe veten.

Sipas informacioneve të para, rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19 e 16 minuta.

Policia thotë se në vend të ngjarjes kanë qenë edhe familjarët, saktësisht djali i burrit që dyshohet se kreu krimin.

Pasi u dëgjuan të shtënat, rastin e kanë konfirmuar në polici fqinjët që fillimisht dyshuan se janë krisma të fishekzjarrëve.

“Vëllau i viktimës dhe djali pra, ka qenë në vend të ngjarjes. Dëshmitarët përreth, fqinjët, e kanë lajmëruar rastin. Jemi duke punuar që të zbardhet ky rast. Ata kanë qenë në shtëpi dhe mund të intervistohen si dëshmitarë”, ka thënë nga vendi i ngjarjes, Shaban Osmanollaj, zëdhënës i policisë së Kosovës në Prizren.

Policia dhe prokuroria ende nuk i ka bërë të ditura rrethanat se si ka ndodhur rasti, apo motivet e kësaj vrasje dhe vetëvrasje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova pritet të sigurojë falas 360 mijë vaksina, kurse pjesën…