Dyshohet se u dogjën me qëllim zyrat e gjyqtarëve në Kaçanik, tre persona në kërkim
Mëngjesin e hershëm të së mërkurës, objekti i degës së Gjykatës themelore në Kaçanik është përfshirë nga zjarri duke dëmtuar dy zyra të gjyqtarëve. Nga zjarri që dyshohet të ketë qenë i qëllimshëm, ka pasur vetëm dëme materiale. Ndërkaq, tre të dyshuarit gjenden ende në arrati ndërsa për rastin, Prokuroria ka nisur hetimet. Zyrtarë të gjykatës kanë siguruar se të gjitha materialet e djegura ruhen edhe në kopje digjitale.
Dritaret i ka hedhur në tokë e brenda, zyrat janë bërë shkrumb e hi.
Zjarri, i cili nisi rreth orës 4 të mëngjesit të së mërkurës në Themelore të Ferizajt në Degën e Kaçanikut, dyshohet se pati për cak dy zyra të rëndësishme.
Zyrat që janë kapluar nga zjarri në Gjykatën Themelore të Ferizajt në Degën e Kaçanikut ishin zyra të gjykatësve. Ndërkaq nga zjarri kanë përfunduar të dëmtuara një sërë lëndësh gjyqësore.
Siç ka mësuar televizioni, zyrat e djegura janë të gjyqtarëve, Burim Çaka dhe Zajrete Muhaxheri.
E nga Gjykata thonë se dokumentet janë të siguruara në një formë tjetër, duke shtuar se gjithashtu nuk janë në dijeni nëse gjyqtarët ishin kërcënuar më parë.
“Dua të bëj me dijeni për publikun se janë të evidentuara edhe në sistemin elektronik të gjykatës të cilat me kohën do të rikuperohen”, ka thënë Gentiana Hoxha, Udhëheqëse e Zyrës për Informim dhe Komunikim me Media.
Tre të dyshuarit, janë ende në arrati.
“Ju njoftojmë se me datën 13.03.2024 rreth orës 03:55 kemi pranuar një informatë se në Objektin e Gjykatës Themelore- dega në Kaçanik ishte një zjarrëvënie. Menjēherë në vendin e ngjarjes kanë dalë ekipe të Zjarrëfikësve të cilët rreth orës 04:40 kanë lokalizuar dhe shuar zjarrin. Si pasojë e këtij incidenti nga zjarri janë dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate. Gjithashtu në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat e stacionit të Kaçanikut e më pas edhe hetuesit dhe krimteknikët rajonal nga Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit i kanë nisur hetimet intenzive. Nga hetimet e para dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrëvënie nga 3 persona të panjohur, e që hetuesit policorë janë duke grumbulluar informacione në terren në zbardhjen sa më shpejtë të këtij rasti”, ka thënë Kanun Veseli nga Policia e Kosovës për Rajonin e Ferizajt.
E Prokuroria tanimë ka nisur hetimet për zjarrvënie. “Rasti aktualisht është në fazën fillestare të hetimeve dhe grumbullimit të informatave”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë në Ferizaj, Vjosa Baftiu, duke shtuar se në këtë fazë nuk mund të japin më shumë hetime.
“Ju njoftojmë se për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka hapur rast në drejtim të veprës penale “Zjarrvënia” nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës. Rasti aktualisht është në fazën fillestare të hetimeve dhe grumbullimit të informatave. Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, andaj, ne këtë fazë nuk mund të japim detaje tjera”.