Dzeko zbulon pse nuk u largua nga Roma
Gjatë gjithë kohës ishte përfolur për një kalim të tij në Milano, nën urdhrat e Antonio Contes, por Edin Dzeko i befasoi të gjithë pak ditë më parë, duke vendosur të rinovojë kontratën me Romën.
Boshnjaku kishte kontratë të vlefshme deri verën e ardhshme me verdhekuqtë, por tani zgjati bashkëpunimin deri në verën e 2022-shit, ndërsa në marrëveshjen e re përmirësohen ndjeshëm edhe termat ekonomikë.
Në një intervistë për mediat italiane, Dzeko deklaroi se në Romë ndihet si në shtëpi dhe se kanë qenë pikërisht shokët e skuadrës, ata që e kanë bindur të firmosë rinovimin.
“Jam i lumtur që shumë njerëz janë të kënaqur që firmosa për të qëndruar këtu, me shokët e mi të skuadrës. Nuk janë thjesht shokë skuadre në fakt, por miq të vërtetë, vëllezër të mitë. Më kanë vënë gjithë kohës nën presion, duke më thënë se nuk do shkoja askund. Me Pellegrinin dhe Florenzin kam një marrëdhënie të përsosur. Ky i fundit më tha se nëse do të rinovoja, do të më jepte shiritin e kapitenit dhe e mbajti fjalën pas firmës, por ia bëra të qartë që është kapiteni ynë”, tregoi Dzeko.