E ardhmja e Mustafit e Xhakës tek Arsenali, e pasigurt
Mbrojtësi Shkodran Mustafi dhe mesfushori Granit Xhaka nuk e kanë të sigurt nëse do të jenë pjesë e Arsenalit edhe në edicionin e ardhshëm.
Të dy shqiptarët, siç raportojnë mediumet në Angli të mërkurën, nuk kanë arsyetuar pritshmëritë dhe gjasat janë të mëdha që gjatë verës të përfshihen në listën e lojtarëve që do të jenë në shitje. Mustafi i kushtoi Arsenalit 41 milionë euro, kurse Xhaka 45 milionë. Por pas këtij edicioni të vlerësuar jo të mirë për dy futbollistët shqiptarë, vlera e tyre në treg ka rënë.
“Arsenali këtë verë do ta rishikojë ekipin dhe vetëm dy vjet pas transferimit të tyre, Mustafi dhe Xhaka nuk janë në plane për të ardhmen”, shkruan “standard.co.uk”. Si Mustafi ashtu edhe Xhaka me Arsenalin kanë kontratë deri në vitin 2021. Mustafi ka shënuar tre gola dhe ka asistuar një herë në 24 paraqitje në Premierë Ligë këtë sezon, kurse Xhaka në 33 paraqitje ka shënuar një gol dhe ka asistuar pesë herë.