E bija e mafiozit, El Chapos, u shpërndan ndihma të varfërve
E bija e El Chapos është shfaqur së fundmi duke mbajtur maskë koronavirusi me fytyrën famëkeqe të të atit teksa përgatit pako me ndihma për të varfrit e Meksikës.
38 vjeçarja Alejandrina Guzman kishte publikuar pamje në mediat sociale duke përgatitur kutitë e mbiquajtura “Furnizimet e Chapos” që do të shpërndahen në qytetin e Guadalajara, në perëndim të Meksikës.
E bija e ish-kreut të kartelit famëkeq të drogës në Sinaloa mban maskën teksa përgatit pakot me letra higjenike, ushqime dhe artikuj të tjerë, së bashku me disa gra të tjera.
Edhe koleget e saj mbajnë maska me fytyrën e El Chapos, ndërsa fytyra e tij duket e stampuar dhe në kutitë e ndihmave.
Teksa gratë janë duke dezinfektuar duart, një zë burri i pyet nëse i përgatitën “Chapo dispensas” (furnizimet e Chapos).
Bija e mafiozit shpjegon më pas se kutitë do t’u jepen njerëzve më në nevojë gjatë krizës së koronavirusit dhe kryesisht më të moshuarve.
Alejandrina Guzman ishte në faqet e para të gazetave këtë vit për martesën ekstravagante me Edgar Cazares.