E bija e viktimës me Covid-19: Dyshojmë në trajtimin me oksigjen që i është ofruar babait
Arbnora Fazliu nga Mitrovica në një deklarim për media nga QKUK-ja, ka treguar se babai i saj sot ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19, viktima ishte e moshës 70-vjeçare dhe ishte i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK-së.
Fazliu ka thënë se familja e tyre dyshon që ndaj babait të saj nuk ka pasur trajtim të duhur sa ishte i shtrirë.
“Baba jem ka qenë këtu para tri-katër dite. Ja kanë bërë testin dhe ka dalë që është me koronavirus. Unë kam ardhur dhe kam qëndruar me të. Ka pasur probleme me frymëmarrje. Katër orë kemi pritur derisa kanë ardhur për ta marrë. Tamam e kanë qitur në karrocë dhe kemi pritur rreth 4 orë për mjek”.
“Ka qenë më oksigjen, nuk ka qenë intensiv. As mbikëqyrje që duhet për të pasur ndaj një pacienti nuk ka pasur aspak. Vëllai ka qenë dhe na ka lajmëruar që ka vdekur. Mjekja kryesore erdhi dhe na tha se s’ka informacione, do të thotë, as ajo nuk kishte informacione. Dyshimet e familjes janë, që nuk kanë pasur trajtim të mirë, oksigjenin nuk ia kanë dhanë qysh është dashtë. 70 vjeç ka qenë prindi”, ka thënë Arbnora Fazliu.