E bija përkujton të atin, shkrimtarin Musli Berisha
E bija e ish-gazetarit dhe shkrimtarit Musli Berisha (alias Mumir Ferko), Ermira Berisha, ka përkujtuar të atin në ditën e lindjes së tij. Ajo në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar një shkrim mjaft të ndjeshëm, në të cilin ka evokuar kujtim dhe këshilla të të atit të cilat ia kishte dhënë sa ka qenë gjallë.
Musli Berisha, shkrimtar nga Ferizaj, ka vdekur në gusht të vitit 2020 pas infektimit me Covid-19. Ai ka botuar disa vepra letrare.
Shkrimi përkujtimor i së bijës së tij:
Sa kisha dashur të t’përqafoj dhe të t’uroj sot për ditëlindjen tënde, e ti do t’më kishe thënë: -S’kanë shumë rëndësi datat, mos harro, me rëndësi është të falësh dashuri çdo ditë.
Jeta jote nuk ishte e gjatë siç do dëshironte çdo kush, por mënyrën se si e jetove ta kam shumë lakmi. Të kam pas thënë njëherë që shpresoj të bëhem vetëm sa gjysma jote. Çdo ditë e shëndetshme për ty ka qenë festë, çdo sukses sado i vogël i yni për ty ka qenë ditë me rëndesi, aq shumë dite ta vlerësosh jetën.
Nuk të bënin përshtypje udhëtimet, daljet, kënaqësitë e momentit, për ty ishte e rëndësishme të kaloje sa më shumë kohë me ne dhe të na dhuroje urtësinë e dashurinë tënde. Nuk e di ku e gjeje gjithë atë dashuri për jetën, për njerëzit, për natyrën, për librat… Kishe qetësi shpirtërore që e gjeje tek Krijuesi dhe që shpesh të dëgjoja se si i falenderoheshe. Ndoshta kjo të bënte ai që ishe.
Nga ti kam mësuar se nuk ka rëndësi se sa jeton, por si jeton dhe çfarë le mbrapa. Njëherë më pate thënë se ndërgjegja e qetë është balsam i shpirtit, mundohu aq sa ke mundësi të dhurosh mirësi. E une po mundohem që të ndjekë këshillat tua.
Përjetësisht falenderuese për gjithçka që ke bërë për mua! Krenare për ty dhe veprat e tua!
Parajsa qoftë e jotja!