E dashur Evropë, Brexit është një mësim për të gjithë ne; është koha për ripërtëritje
Emanuel Macron
Nuk mund të lejojmë që nacionalistët të shfrytëzojnë zemërimin publik. Dua një projekt ambicioz që lejon njerëzit të marrin kontrollin e vërtetë.
Qytetarë të Evropës, nëse po marr nismën t’u adresohem drejtpërdrejt, nuk është vetëm në emër të historisë dhe vlerave që na bashkojnë, por sepse koha është thelbësore. Pas pak javësh, zgjedhjet evropiane do të jenë vendimtare për të ardhmen e kontinentit tonë. Që nga Lufta e Dytë Botërore Evropa kurrë nuk ka qenë aq thelbësore. Megjithatë, nuk ka qenë kurrë në një rrezik të tillë. Brexit qëndron si simbol i kësaj. Ai simbolizon krizën e një Evrope që nuk ka arritur t’i përgjigjet nevojës së popullit për t’u mbrojtur nga goditjet e mëdha të botës moderne.
Ai gjithashtu simbolizon kurthin evropian. Kurthi nuk qëndron në të qenit pjesë e Bashkimit Evropian; kurthi është te një gënjeshtër dhe papërgjegjshmëria që mund ta shkatërrojë atë. Kush i tha popullit britanik të vërtetën për të ardhmen pas Brexit? Kush u foli atyre për humbjen e aksesit në tregun e BE? Kush i përmendi rreziqet për paqen në Irlandë për rivendosjen e kufirit? Kalimi në nacionalizëm nuk ofron asgjë; është refuzim pa një alternativë. Dhe ky është kurthi që kërcënon të gjithë Evropën: shton zemërim, mbështetur nga lajme të rreme, që premtojnë asgjë dhe çdo gjë.
Ne duhet të qëndrojmë të fortë, krenarë dhe të kthjellët, përballë këtij manipulimi dhe së pari të themi se çfarë në të vërtetë është Evropa. Është një sukses historik: pajtimi i një kontinenti të shkatërruar është një projekt i pashembullt i paqes, prosperitetit dhe lirisë. Le të mos e harrojmë kurrë këtë. Dhe ky projekt vazhdon të na mbrojë sot. Cili vend mund të veprojë më vete përballë strategjive agresive nga fuqitë kryesore? Kush mund të pretendojë të jetë sovran, vetë, përballë gjigantëve dixhitalë? Si do t’i rezistojmë krizave të kapitalizmit financiar pa euron, që është forcë për të gjithë BE-në? Pjesë e Evropës janë gjithashtu ato mijëra projekte të përditshme që kanë ndryshuar fytyrën e rajoneve tona: shkolla të rinovuara, rrugë të ndërtuara dhe interneti me shpejtësi të lartë.
Kjo luftë është një angazhim i përditshëm, sepse Evropa, si paqja, nuk mund të merret kurrë si e mirëqenë. E ndjek atë pa u lodhur, në emër të Francës, në mënyrë që ta çoj Evropën përpara dhe të mbrojë modelin e saj. Ne kemi treguar se gjërat që u thanë ishin të paarritshme, krijimi i një aftësie mbrojtëse evropiane dhe mbrojtja e të drejtave sociale, ishin në fakt të mundshme.
Ne duhet të bëjmë gjithnjë e më shumë, sepse ka një kurth tjetër: kurthi i status kuosë dhe heqja dorë. Të ballafaquar me krizat e mëdha në botë, shpesh qytetarët pyesin: “Ku është Evropa? Çfarë po bën Evropa?” Për ta ajo është bërë një treg pa shpirt.
Megjithatë, Evropa nuk është thjesht një treg ekonomik. Është një projekt. Një treg është i dobishëm, por nuk harrohet nevoja për kufij për të mbrojtur dhe vlerat që bashkojnë. Nacionalistët janë të gabuar kur pretendojnë të mbrojnë identitetin tonë duke u tërhequr nga BE, sepse është qytetërimi evropian që na bashkon, na liron dhe na mbron. Por ata që nuk do të ndryshojnë asgjë, po ashtu janë të gabuar, sepse e mohojnë frikën e ndjerë nga populli ynë, dyshimet që dëmtojnë demokracitë tona.
Ne jemi në një moment thelbësor për kontinentin tonë, një moment kur së bashku ne kemi nevojë për të ripërtëritur politikisht dhe kulturalisht formën e qytetërimit tonë në një botë në ndryshim. Tani është koha për një rilindje evropiane. Prandaj, duke i rezistuar tundimit të izolimit dhe ndarjes, unë propozoj që ta ndërtojmë këtë së bashku rreth tre ambicieve: liria, mbrojtja dhe përparimi.
Mbrojtja e lirisë sonë
Modeli evropian bazohet në lirinë: e njerëzve, të diversitetit të mendimeve dhe të krijimit. Liria jonë e parë është liri demokratike: liria për të zgjedhur udhëheqësit tanë teksa fuqitë e huaja kërkojnë të ndikojnë në votat tona në çdo zgjedhje. Unë propozoj krijimin e një Agjencie Evropiane për Mbrojtjen e Demokracive që secili shtet anëtar i BE-së të ofrojë ekspertë evropianë për të mbrojtur procesin e tyre zgjedhor kundër sulmeve kibernetike dhe manipulimeve. Në këtë frymë të pavarësisë, ne duhet të ndalojmë financimin e partive politike evropiane nga fuqitë e huaja. Duhet të kemi rregulla evropiane që të shmangin nxitjen e urrejtjes dhe dhunës nga interneti, pasi respekti për individin është themeli i qytetërimit dhe dinjitetit tonë.
Mbrojtja e kontinentit tonë
E themeluar mbi pajtimin e brendshëm, BE ka harruar realitetet e botës. Megjithatë asnjë komunitet nuk mund të krijojë një ndjenjë përkatësie nëse nuk ka kufij territorialë të mbrojtur. Kufiri është liri në siguri. Prandaj ne duhet të rishikojmë zonën e Shengenit: të gjithë ata që duan të jenë pjesë e saj duhet të përmbushin detyrimet e përgjegjësitë (kontrollet e rrepta kufitare) dhe solidaritetin (një politikë e vetme për azilin me rregulla të përbashkëta të pranimit dhe refuzimit).
Do na duhet një forcë e përbashkët kufitare dhe një zyrë evropiane për azilin, detyrime të rrepta kontrolli dhe solidaritet europian, në të cilat secili vend do të kontribuojë nën autoritetin e Këshillit Evropian për Sigurinë e Brendshme. Përsa i përket migracionit, besoj në një Evropë që mbron vlerat dhe kufijtë e saj.
Të njëjtat standarde duhet të zbatohen për mbrojtjen. Progres i konsiderueshëm është bërë në dy vitet e fundit, por ne duhet të vendosim një kurs të qartë. Një traktat mbi mbrojtjen dhe sigurinë duhet të përcaktojë detyrimet tona themelore në bashkëpunim me NATO-n dhe aleatët tanë evropianë: rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, një klauzolë të vërtetë të mbrojtjes së ndërsjelltë dhe një këshill evropian të sigurisë, me Britaninë e Madhe në bord, për të përgatitur vendimet tona kolektive.
Kufijtë tanë gjithashtu duhet të garantojnë konkurrencë të ndershme. Cili vend në botë do të vazhdojë të bëjë tregti me ata që nuk respektojnë asnjë nga rregullat e tyre? Nuk mund të vuajmë në heshtje. Ne duhet të reformojmë politikën tonë të konkurrencës dhe të riformësojmë politikën tonë tregtare, penalizojmë ose ndalojmë bizneset që komprometojnë interesat tona strategjike dhe vlerat themelore siç janë standardet mjedisore, mbrojtjen e të dhënave dhe pagesën e drejtë të taksave; dhe miratimin e platformës evropiane në industritë strategjike dhe prokurimin tonë publik, si bëjnë konkurrentët tanë amerikanë dhe kinezë.
Ringjallje shpirtit të përparimit
Evropa nuk është një fuqi e nivelit të dytë. Ajo në tërësinë e saj është një forcë në pararojë: ajo gjithmonë ka përcaktuar standardet e përparimit. Në këtë, Evropa duhet të çojë përpara një projekt konvergjence më shumë se ai i konkurrencës: Evropa, ku është krijuar siguria sociale, duhet të prezantojë një mburojë sociale për të gjithë punëtorët, duke garantuar pagë të njëjtë për të njëjtën punë dhe një pagë minimale të BE-së, për çdo vend, të negociuar kolektivisht çdo vit.
Rifutja në rrugën e duhur gjithashtu nënkupton të çojmë përpara të kujdesin ndaj mjedisit. A do të jemi në gjendje t’i shohim fëmijët tanë në sy nëse nuk lajmë borxhin tonë ndaj klimës? BE duhet të vendosë objektivin e saj – zero karbon deri në vitin 2050 dhe pesticidet të jenë përgjysmuar deri në vitin 2025 – dhe t’i përshtasë politikat e saj në përputhje me masat e tilla si krijimi i një Banke Evropiane për Klimën për të financuar tranzicionin ekologjik, një forcë evropiane të sigurisë ushqimore për të përmirësuar kontrollet tona ushqimore, masa kundër lobimeve, vlerësim i pavarur shkencor të substancave të rrezikshme për mjedisin dhe shëndetin. Ky imperativ duhet të udhëheqë të gjithë veprimet tona: nga Banka Qendrore te Komisionin Evropian, nga buxheti Europian te Plani i Investimeve për Evropën, të gjitha institucionet tona duhet të kenë klimën si mandatin e tyre.
Progres dhe liri do të thotë të jemi në gjendje të jetojnë nga puna e gjithsecilit: Evropa duhet të shikojë përpara për të krijuar vende pune. Kjo është arsyeja pse ajo ka nevojë jo vetëm për të rregulluar gjigantët dixhitalë duke vendosur mbikëqyrjen evropiane të platformave kryesore digjitale (dënime të shpejta për konkurrencën e pandershme, algoritme transparente etj.), por edhe për të financuar inovacionin duke i dhënë Këshillit të ri Evropian të Inovacionit një buxhet në të njëjtin nivel me Shtetet e Bashkuara në mënyrë që të çojë përpara rezultate të reja teknologjike, si inteligjenca artificiale.
Një Evropë e orientuar drejt botës duhet të shohë nga Afrika, me të cilën duhet të lidhim një marrëveshje për zhvillimin e ardhshëm afrikan me investime, partneritete akademike dhe edukim për vajzat.
Liria, mbrojtja dhe përparimi: ne duhet ta ndërtojmë përtëritjen evropiane në këto shtylla. Nuk mund të lejojmë që nacionalistët pa zgjidhje të shfrytëzojnë zemërimin e njerëzve. Nuk mund të ecim në gjumë në një Europë të zvogëluar. Ne nuk mund të qëndrojmë në rutinën e ditës me idene se është një ditë rutinë si gjithë të tjerat. Humanizmi evropian kërkon veprim. Dhe kudo, njerëzit janë çuar në këmbë për të qenë pjesë e këtij ndryshimi. Pra, deri në fund të vitit, le të sjellim, me përfaqësuesit e institucioneve të BE-së dhe shtetet anëtare, një Konferencë për Evropën, me qëllim që të propozojmë të gjitha ndryshimet që nevojiten për projektin tonë politik, të hapur edhe për ndryshimin e traktateve të BE-së.
Kjo konferencë duhet të angazhojë panelet e qytetarëve dhe të dëgjojë akademikët, përfaqësuesit e biznesit dhe punëtorët, si dhe udhëheqësit fetarë dhe shpirtërorë. Do të përcaktojë një udhërrëfyes për BE-në që i përkthen këto prioritete kryesore në veprime konkrete. Do të ketë mosmarrëveshje, por a është më mirë të kemi një Evropë statike apo një Evrope që përparon, ndonjëherë me shpejtësi të ndryshme dhe kjo është e hapur për të gjithë? Në këtë Evropë, njerëzit do të marrin kontrollin e së ardhmes së tyre.
Në këtë Evropë, Britania e Madhe, jam i sigurt, do të gjejë vendin e saj të vërtetë. Ngecja e Brexit është një mësim për të gjithë ne. Na duhet të ikim nga ky kurth dhe të bëjmë zgjedhjet e ardhshme dhe projektin tonë kuptimplotë. Ju takon ju të vendosni nëse Evropa dhe vlerat e progresit që ajo mishëron, duhet të jenë më shumë se vetëm një episod kalues në histori. Kjo është zgjedhja që unë u jap: së bashku të përcaktojmë rrugën për përtëritjen evropiane.
Opinioni i presidentit të Francës Emanuel Macron publikuar nga “The Guardian”