E dhimbshme / Ish-ushtari i UÇK-së që është i palëvizshëm i rrezikohet jeta pa rrymë, u shkruan letër publike Osmanit, Konjufcës dhe Kurtit
Ish-ushtari i UÇK-së, Xhemë Rexhepi, nga fshati Zhiti, Komuna e Vitisë, tash e 13 vite është i palevizshëm dhe i shtrirë në shtrat.
Mungesa e rrymës këto ditë ia ka vështirësuar jetën edhe më shumë, sepse dy këmbët i ka të amputuara dhe është i shpuar në fyt me kanillë trahustome nën rexhimin e aparatit aspirator, i cili aparat funksionon vetëm me rrymë, madje edhe rexhimin e shtratit e ka me rrymë, raporton “Epoka e re”.
“Jam me plagë shumë shumë të rënda, nën rexhimin e terapisë mjekësore për çdo ditë”, ka shkruar ai në letrën publike drejtuar udhëheqësve të shtetit.
“Si përfaqësuses të institucioneve më të larta shtetërore, ju drejtohem që të tregoni kujdes të veçantë ndaj rasteve të tilla që të pakten mos të kemi redukime të rrymës, sepse jeta ime varet nga energjia elektrike, përkatësisht jetën e kam në pikëpytje po nuk pata energji, pavarësisht se vështirësitë i kam maksimale për t’ja dalë nga dita në ditë, por nëse përballem edhe me mungesë të rrymës elektrike, jeta ime është çdo minutë në rrezik”, ka shkruar ish-ushtari i UÇK-së.
Postimi i plotë i tij:
E nderuara zonja presidente e Republikës së Kosovës
I nderuari z. kryeministër i Republikës së Kosovës,
I nderuari z. kryetar i Kuvendit i Republikës së Kosovës,
I nderuari z. ministër i shëndetësisë i Republikës së Kosovës dhe
I nderuari z. kryetar i Komunës së Vitisë
Jam Xhemë Rexhepi nga fshati Zhiti, Komuna e Vitisë, Republika e Kosovës. Kam qenë pjesëtar i UÇK-së dhe ndihem shumë krenar për këtë, por tash e 13 vite jam i pa levizshëm dhe i shtrirë në shtrat. Jam operuar disa herë, i kam dy kembët e amputuara dhe jam i shpuar në fyt me kanillë trahustome nën rexhimin e aparatit aspirator, i cili aparat funksionon vetëm me rrymë, madje edhe rexhimin e shtratit e kam me rrymë. Jam me plagë shumë shumë të rënda, nën rexhimin e terapisë mjekësore për çdo ditë.
Si përfaqësuses të institucioneve më të larta shtetërore, ju drejtohem që të tregoni kujdes të veçantë ndaj rasteve të tilla që të pakten mos të kemi redukime të rrymës, sepse jeta ime varet nga energjia elektrike, përkatësisht jetën e kam në pikëpytje po nuk pata energji, pavarësisht se vështirësitë i kam maksimale për t’ja dalë nga dita në ditë, por nëse përballem edhe me mungesë të rrymës elektrike, jeta ime është çdo minutë në rrezik. Ju drejtohem publikisht, që të mos përballem me redukime të rrymës dhe të keni kujdes për personat që karakterizohen me gjendje të tilla shëndetësore, meqë jeta ime varet nga prania e energjisë elektrike, në këto ditë të dimërit me oscilime të mëdha temperaturale.
Sinqerisht, Xhemë Rexhepi, fshati-Zhiti, KK-Viti!