E dhimbshme/ Vazhdon braktisja e uniformës blu në kërkim të një jete më të mirë
Rreth 50 zyrtarë të Policisë së Kosovës dhanë dorëheqje vullnetare që nga fillimi i këtij viti deri më tash. Arsyet kryesore të këtyre dorëheqjeve, kryesisht janë pakënaqësitë me kushtet e punës, dhe me pagat.
Sindikata e Policisë së Kosovës tanimë ka humbur shpresat se do të ketë shtesë për rrezikshmëri. Është muaji i shtatë që Policia e Kosovës nuk është paguar për shtesat e rrezikshmërisë, dhe ende nuk dihet nëse ata do të paguhen.
Po ashtu për pakënaqësitë e punonjësve policorë lidhur me kushtet e punës, kjo sindikatë para një muaji ka filluar me veprime sindikale duke dorëzuar në Kuvend një peticion, në të cilin kanë nënshkruar 62% e pjesëtarëve të PK-së.
Kujtojmë se flota operative dhe punëtorët e Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës kanë protestuar në vendet e tyre të punës, duke shprehur pakënaqësitë e tyre për pagat, përkatësisht për mosrregullimin e vlerës së koeficienteve të pozitave të punës.
Policët më parë merrnin shtesat për orar të zgjatur e rrezikshmëri në punë sipas një rregulloreje të brendshme të policisë, por me funksionoalizimin e ligjit të ri për paga kjo rregullore u ndalua.
Ligji për pagat ka hyrë në fuqi më 5 shkurt dhe është përcaktuar koeficienti në vlerë prej 105 eurosh për vitin 2023. Lidhur me këtë, Avokati i Popullit kishte pranuar ankesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, zyrtarë komunalë të arsimit, infermierë, mjekë, Sindikata e Policisë së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe institucione e organizata të tjera.
Me legjislacionin në fuqi, e drejta e kompensimit nga buxheti i shtetit u takon dy kategorive: familjarëve të zyrtarëve policorë që vdesin në detyrë dhe atyre në kryerje të detyrës.
Kujtojmë se që nga përfundimi i luftës së fundit, 19 zyrtarë të Policisë kanë humbur jetën në detyrë.