E diela, ditë pushimi, po respektohet nga bizneset në Mitrovicë
Të hënën është mbajtur mbledhja e radhës e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, e cila është drejtuar nga nënkryetari Faruk Mujka.
Në këtë mbledhje janë diskutuar dhe shqyrtuar çështje të rëndësishme nga fushëveprimi i Bordit dhe drejtorive komunale.
Në këtë mbledhje, drejtori për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, Egzon Jashari, ka njoftuar ekzekutivin se është mbajtur mbledhja e parë e komisionit për verifikimin e përmbushjes së marrëveshjeve kontraktuare nga subjektet afariste në zonën e lirë ekonomike, i cili tha se ky komision ka hartuar planin e veprimit që është i ndarë në tri faza; fazën e grumbullimit të dokumentacionit, fazën e verifikimit në terren dhe faza e përpilimit të raportit me rekomandime.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit, Hysni Ahmeti, ka bërë me dije se edhe gjatë këtij vikendi inspektorët komunal në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë inspektuar subjektet afariste lidhur me vendimin për respektimin e orarit të punës.
Ai po ashtu ka thënë se vendimi i kryetarit Bahtiri që dita e diele të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset në Mitrovicë është duke u respektuar në përpikëri duke u bërë kështu komuna jonë shembull për komunat tjera.
Një temë tjetër me rendësi e cila u diskutua në mbledhjen e sotme ishte edhe niveli i pastërtisë në qytet, me ç’rast ekzekutivi u pajtua që pastërtia të jetë në nivelin e duhur, të bëhet mirëmbajtja e hapësirave gjelbëruese, me theks të veçantë në hapësirat përgjatë Liqenit akumulues i cili ofron një atraksion i vërtetë turistik dhe frekuentohet nga një numër i madh i qytetarëve nga e gjithë Kosova.
/Epoka e re/