E djeshmja që mund të zgjohet i frikëson ata që arkivit i vunë flakën
Bukurije Bushati
(Arif Molliqi, “Arkivi i letrave të djegura”, roman, botoi ShB “Armagedoni”, Prishtinë, 2022)
Para pak kohe më ra ta kem romanin “Arkivi i letrave të djegura” të autorit Arif Molliqi. Nga ky autor kam lexuar disa libra dhe në to kam gjetur tema interesante që trajton dhe mënyrën sesi i trajton. Prandaj isha kureshtare ta lexoi edhe këtë roman.
Që në fillim titulli i romanit të futë në mendime, pastaj tund kokën duke psherëtirë. I kemi hasur këto arkiva të djegura, apo me dosje boshe në to. Shije e hidhur kjo, që të lë të kuptosh se autori do të mbetet i ngujuar mbi dosjet pothuajse të djegura. Por a do t’ia dalë të risjellë në historinë e qytezës rrëzë bjeshkëve, atë çka e zhdukën në arkiv? Mbledh supet se më duket e vështirë të nxjerrësh nga bloza germat që zjarri gëlltiti.
Arkivi u dogj, por banorët e qytezës jetojnë ende. Dhe historitë, më mirë e më me vërtetësi, tregohen nga ata që ishin dëshmitarë të asaj apo kësaj ngjarje, ata që vuajtën në kurriz ngjarjen apo pasojat e saj, sesa nga arkivi i shkruar nga pushtetarët e korruptuar.
Me interesimin e Molliqit për të kërkuar në arkiv, trazohet qyteza. E djeshmja që mund të zgjohet frikëson ata që arkivit i vunë flakën.
Autori i ardhur nga mërgimi shihet si prishës i asaj rutine përgjumeshe që ka përfshirë qytetin. I duhet ndaluar kërkimi. Ata nuk janë të sigurt se gjithçka është fshirë nga ajo kujtesë e bodrumit të myktë, apo nëse ato skelete letrash të djegura mund të flasin.
Në hapje të historisë së qytezës autori vendos manastirin. Dhe jo ashtu kot. Ai manastir nxjerr kryet pothuajse në çdo ngjarje të qytetit, nëpërmjet tentakulave të tij ortodokse serbe apo disa banorëve që janë bërë mjete frymore të tij, që ai i tërheq prej hunde.
Po ashtu, një qëllim e ka autori edhe kur mban shënime mbi faljen e tokave manastirit nga ana e pushtetit. Tregon me këtë autori, se janë vetë pushtetarët që i japin pasuri dhe pushtet manastirit. Po çfarë është manastiri i qytezës rrëzë bjeshkëve? Sigurisht një celulë e Serbisë për t’i shërbyer asaj në kohën kur qytezën e kishte të pushtuar dhe si një çiban në qytezën e pasluftës, një Serbi brenda saj, që nuk ndalte misionin shkatërrues e grabitës.
Autori arrin t’i bëjë një analizë të hollësishme aktivitetit të manastirit. Në kohën e luftës, një kuçedër vrasëse, një kuplara ku mblidheshin ushtarët serbë të gjymtuar në luftë që shuanin epshet me prostitutat e ardhura nga Serbia, Kroacia dhe gra të qytezës që prostituonin aty. Vejusha Z, serbe e martuar me shqiptar, është një nga ato që organizon prostitucionin dhe si bijë e këtij manastiri djalli, çakordon edhe pas luftës jetën e qytezës.
Manastiri shërben si shtëpi seksi. Autori e përshkruan deri në neveritje këtë akt, që të pështirosë kur e lexon. Jo vetëm shitje trupi, por edhe kafshëria dhe antinjerëzorja shfaqen në këtë akt.
Le të vazhdojmë me manastirin.
Autori na tregon qartë se pa bashkëpunimin me persona me pushtet të qytezës, manastiri nuk mund të kishte gjallërinë e aktiviteteve shkatërruese dhe poshtëruese. Një personazh i tillë është avokati. Njeriu i drejtësisë në llumin e krimit. Njeri që shet interesat e qytezës, që injekton prostitucionin, korrupsionin e manastirit në deje të qytezës. Njeri që së bashku me Metin, Rulin, Sylën etj., gjatë pushtimit dhe luftës, vranë bashkëqytetarët e tyre për interesat e serbit dhe mbas luftës, kapin përsëri majat e pushtetit duke e korruptuar atë dhe i shërbyer manastirit. Janë ata që i drejtohen në gishtin drejtues qytezës dhe qyteza hesht.
Pse hesht qyteza?
Një personazh tjetër është edhe Lulja. Personazh që kur e lexon të sjellë ndjenjën e turpit dhe të urrejtjes bashkë. Burrin e arrestuar për interes të manastirit dhe Lulja që ikë të shfryjë epshet në manastir. “Hapu dhé dhe përpije këtë krijesë”, të vjen të bërtasësh.
Nuk të lë të qetë ky roman. Ngjarjet janë tronditëse dhe gati-gati të pabesueshme. Shqiptari dhunon shqiptarin, torturon bashkatdhetarët e tij për interesa të manastirit duke dashur të duket edhe i plotfuqishëm. Ky është rasti i Sylës, dhëndër Serbie, që nga mësues kalon në spiun të sigurimit të shtetit serb. Gjithçka tregohet nën zë. Qyteza ka frikë të flasë. Arkivi flet me gjuhën gjysmë memece në këtë qytet gri…
Ka ngjarje nga më të ndryshme në këtë roman rrëfyes. Them rrëfyes, sepse autori pasi ka arritur të mbledhë dhe vendosë në vendin e tyre puzlet e historisë së kësaj qyteze, vjen e na i tregon, duke u munduar ta ringjallë arkivin. I jep zë atij të tregojë atë llum që kërkon ta përmbytë qytezën. “Ne jemi të këqijtë e vetes” është njëra nga linjat dhe mendoj ajo më kryesorja e romanit. “Ne të keqen e kemi nga brenda”. Ne nuk e duam veten, sepse ne na pëlqen të na mashtrojnë. Ne heshtim para korrupsionit. Thua kemi pasur dhe kemi frikë!
Nëse kjo e fundit nuk është e vërtetë, atëherë pse hesht qyteza?!
Duke e lexuar këtë roman, nuk u ndjeva e qetë. Ajo qytezë atje rrëzë bjeshkëve ka të njëjtën histori në qytetin ku ngrihen gradaçielat, me qytetet buzë detit, me qytezat buzë lumenjve me derdhjet e degraduara, me qytezat ku heroi dhe vrasësi varrosen pranë njëri tjetrit! (Siç i mbetet kjo në mendje edhe autorit.) Ku heroit harrohet t’i dërgohen lule dhe vrasësve u ngrihen përmendore dhe emrat u shkruhen në libra. Ku banorët heshtin duke bërë valixhet gati për emigrim…
Na duhen rrëfime të tilla romaneske, për t’u zgjuar dhe vendosur mirë pikat mbi “i”, për t’i thënë të bardhës e bardhë e të zezës e zezë.