E DREJTA E KOSOVËS PËR PAVARËSI QË NUK PO REALIZOHET DERI NË FUND

23 korrik 2024 | 16:27

Në katërmbëdhjetëvjetorin e shpalljes së vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë

Imer Xhemail Lladrovci

Para 14 vjetësh, saktësisht me 22 korrik 2010, në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë u shpall vendimi se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk binte në kundërshtim me asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare. Ky vendim atëbotë u prit me një lloj nervozizmi në publikun serb, sidomos në segmentet e saj politike e mediale, sepse relevanca e vendimit për njohjet ndërkombëtare të deriatëhershme, për ato të pakta që do të vinin më pas dhe të tjera që do të vijnë në të ardhmen, ishte e madhe. Befasia dhe habia në publikun e përgjithshëm serb u bë më e madhe kur u mor vesh se kërkesën për shqyrtimin e ligjshmërisë së shpalljes së Pavarësisë e kishte bërë vetë qeveria e Serbisë. Publiku serb e quajti një lloj naiviteti këtë kërkesë. Në anën tjetër qeveria e Serbisë kishte shpresuar se gjykata do të gjente ndonjë gjë të vogël formale për ta përmbysur çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Një vendim negativ në këtë pikë i kësaj instance ndërkombëtare do t’i shërbente propagandës shtetërore serbe kundër Kosovës. Ky kishte qenë qëllimi themelor i kësaj kërkese. Por, punët shkuan në një drejtim tjetër, kështu që, tani qeveria e Serbisë qëndronte përball publikut të gjerë serb me njëfarë faji. Qarqe të ndryshme serbe thanë se qeveria nuk bëri mirë që e bëri këtë kërkesë. Puna është se, këto qarqe nuk ishin shprehur aq skeptike para se të shtrohej kërkesa nga Beogradi zyrtar para kësaj instance supreme ndërkombëtare, ngase GJND-ja ishte organi më të lartë juridik i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Pyetja e qeverisë së Serbisë kishte qenë kjo: “A ishte Deklarata e njëanshme për pavarësi, e shpallur prej organeve të përkohshme të vetëqeverisjes, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”?
Gjykatësi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe kryetari i saj, Hisashi Ovada (Hisashi Owada), e shpalli vendimin në emër edhe të 15 gjykatësve të tjerë, pra vendimi ishte kolektiv dhe jo individual. Dhe ky vendim nuk gjente asgjë nga pikëpamja juridike që të mund të qortohej nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare. Sigurisht gjykata nuk e inkurajonte konkretisht asnjë qeveri që ta njihte sovranitetin shtetëror të Kosovës, mirëpo si vendim i instancës më të lartë në botë për aspektet juridike të çështjes së shpalljes së pavarësisë, kishte ndikim direkt në vendimet e qeverive të ndryshme që e shqyrtonin mundësinë e njohjes diplomatike të shtetit të Kosovës. Vendimi ishte, pa asnjë dyshim, një referencë e mirë për çdo qeveri që vendoste ta njihte sovranitetin shtetëror të Kosovës.
Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, Hisashi Ovada, dha shpjegime të detajuara për çështjen. Së pari, Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, tha ai, nuk bie në kundërshtim me asnjë dispozitë të së drejtës ndërkombëtare dhe me asnjë akt që del prej saj. Ky gjykim i përgjithshëm ishte shumë i rëndësishëm.
Në shpjegimin që zgjati mbi një orë, kryetari Owada fillimisht përshkroi rrethanat që kishin çuar deri te shpallja e Pavarësisë dhe rikujtoi dokumentet e ndryshme ndërkombëtare që ishin nxjerr në të kaluarën në lidhje me Kosovën. Ovada tha më tej se, Kuvendi i Republikës së Kosovës kishte të drejtë legjitime për një akt të tillë ndërkombëtar, pasi që në këtë organ pushtetor përfaqësohej vullneti politik i qytetarëve të Kosovës. Ovada tha se edhe rruga që është ndjekur për të ardhur te ky akt final i Kuvendit të Kosovës, bazohej në të drejtën legjitime të përfaqësuesve të popullit kosovar, të cilët vendimin e tyre e mbështesnin në vendimet e Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë (Rambouillet), në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila thoshte në mënyrë eksplicite se është detyrë e Misionit të OKB-së për të hulumtuar rrugë legjitime në gjetjen e një zgjidhjeje finale për nyjën e Kosovës. Gjykatësi Ovada tha gjithashtu se shqiptarët gjatë gjithë kohës u treguan bashkëpunues në proces të kërkimit të një zgjidhjeje të pranueshme për krahinën e dikurshme serbe që ishte bërë objekt i dhunës ekscesive serbe sidomos gjatë viteve 1990, por edhe më herët. Serbia, në raport me shqiptarët, asnjëherë nuk e kishte kërkuar një zgjidhje paqësore, por gjithmonë ishte mbështetur në opsionet e dhunshme, ushtarake e policore. Një qasje e tillë ndaj problemeve etnike, sipas gjykatësit Ovada, nuk ishte e shëndetshme. Kosova që e kishte pasur statusin e krahinës autonome dhe kushtetutën e saj të vitit 1974. Gjithë këtë gjendje Serbia ishte munduar ta injoronte dhe kishte ndërhyrë me mekanizmat shtetëror të dhunës në një sferë ku vullneti i lirë politik i qytetarëve nuk guxon të ndikohet përmes shtrëngimit e shantazhit policor. Ndryshimet kushtetuese të vitit 1989, saktësoi gjykatësi japonez, Ovada, nuk u bënë në rrethana paqësore, por përmes përdorimit të forcës së shtetit të Serbisë. Në këto kushte, mosbesimi i shqiptarëve ndaj shtetit serb, konstatoi ai, ishte i ligjshëm dhe logjik. Askush nuk mund të priste nga Serbia vendime të arsyeshme, kështu që në këto rrethana, i vetmi opsion mbeti shkëputja përfundimtare e Kosovës nga Serbia. Ovada theksoi gjithashtu se rasti i Kosovës ishte një rast i veçantë, sui generis, çka do të thoshte se asnjë rajon tjetër në botë nuk mund të ndiqte modelin kosovar të shpalljes së pavarësisë.
Deri te ushtrimi i të drejtës së vetëvendosjes së Kosovës kishte ardhur përmes koordinimit të mirë mes faktorëve lokalë politikë në Kosovë dhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila përmes misionit të saj atje e kishte në vëzhgim të përhershëm të gjendjes në këtë zonë të trazuar të Ballkanit. Bashkësia ndërkombëtare e njihte mirë dhe nga afër problemin politik të shqiptarëve të Kosovës dhe ishte e bindur se asnjë zgjidhje tjetër nuk do të sillte qetësi në këtë zonë problematike, ndaj dhe shpalljen e pavarësisë së rajonit e shihte si të vetmen zgjidhje të drejtë.
Por, si u prit në Kosovë ky vendim i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?
Shumë mirë, është përgjigjja më e shkurtër që mund të japim. Në verën e vitit 2010 pati një entuziazëm të madh në popull, në media dhe te partitë politike që kishin tashmë një përfaqësi në Kuvendin e Kosovës si dhe te ato që nuk kishin arritur të hynin në parlament. Për kosovarët kishte rëndësi të madhe fakti që një instancë e lartë ndërkombëtare si Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk gjeti asgjë kontestuese në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët shihnin në këtë vendim të gjykatës mundësinë që Kosova shpejt të bëhej anëtare e OKB-së, pritje kjo që s’është ende. Kosova mbetet ende jashtë shumë organizatave të rëndësishme ndërkombëtare dhe, kështu, ajo nuk mund ta ushtrojë të plotë subjektivitetin ndërkombëtar, edhe pse gëzon një njohje të gjerë si shtet në botë. Në Evropë shtetet që s’e njohin pavarësinë e Kosovës, krahas Serbisë janë edhe: Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia (në Unionin Evropian) dhe Rusia, Bjellorusia e Ukraina jashtë Unionit. Në botë numri i shteteve që mbajnë qëndrim negativ ndaj pavarësisë, është jo i vogël. Në Azi janë Kina, India e Irani që e refuzojnë njohjen diplomatike të Kosovës. Në Amerikën Jugore janë shumë shtete që ende s’e kanë njohur pavarësinë tonë, por Brazili e Argjentina si shtetet më të mëdha të subkontinentit, do të duhej veçuar, edhe pse qëndrimi i Brazilit nuk është i njëjtë me atë të Argjentinës. Në Afrikë ka shumë shtete që mbajnë një qëndrim refuzues ndaj Kosovës si shtet, por Afrika e Jugut, Kongo e ndonjë shtet tjetër, ia vlen të përmenden këtu. Shtetet që bëjnë pjesë në BRICKS solidarizohen në bllok me Serbinë dhe politikën e saj ndaj refuzimit absolut të pavarësisë së Kosovës.

Serbia, edhe nën trysninë e Rusisë, nuk pranon asnjë mundësi për tejkalimin e vështirësive politike me Kosovën. Në Serbi ushqehen paragjykimet kundërshqiptare që në këtë vend kanë traditë shekullore. Megjithatë, edhe Serbia në çështjen e refuzimit të pavarësisë së Kosovës nuk është tërësisht homogjene. Ekzistojnë një varg partish të vogla dhe personalitete me rëndësi publike që janë shprehur për njohjen e shtetit të Kosovës. Shkrimtari i shquar serb, Vuk Drashkoviq (Vuk Drašković), politikani i njohur dhe jashtëzakonisht i arsyeshëm, Nenad Çanak (Nenad Čanak), pastaj politikani Çedomir Jovanoviq (Čedomir Jovanović). Filozofi serb, Aleksandër Pavlloviq (Aleksandar Pavlović) ka botuar një libër shumë interesant për historinë e konfliktit serbo-shqiptar. Libri i tij mbanë titullin “Shqiptari imagjinar. Imazhi i shqiptarit në kulturën serbe”. Ky libër sjellë fakte të reja, të panjohura më parë, një qasje të re shkencore dhe joideologjike, i cili mbase një ditë do të ndihmojë në afrimin mes dy popujve të armiqësuar me shekuj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas më shumë se dy orësh, ministrja e Drejtësisë, Albulena…