E drejta është në anën tonë. Po presim vendimin final të Kushtetueses

09 maj 2020 | 10:30

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit Hashim Thaçi, për mandatarin do t’i shohin mundësitë e inicimit të shkarkimit të tij. Sipas saj, i pari i shtetit me vetëdije të plotë ka bërë shkelje kushtetuese duke anashkaluar Lëvizjen Vetëvendosje si parti fituese për formimin e qeverisë.

Nagavci, në një intervistë për “KosovaPress”, ka thënë se edhe përfshirja e presidentit në formimin e qeverisë së re, pa zgjedhje të reja, ka të bëjë me pazare politike.

“Gjithë kjo kohë që presidenti Thaçi ka qenë në detyrë i ka sjellë dëme të mëdha vendit. Besojmë se ai me vetëdije ka shkelur Kushtetutën dhe presim vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur hapat e radhës”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka treguar se LDK-ja po tenton të formojë një qeveri jolegjitime dhe joparimore në kundërshtim me Gjykatën Kushtetuese. “Presidenti ka qenë shumë i përfshirë në tentimin për të krijuar qeverinë e re. Ai ka ndikuar drejtpërdrejt dhe ka lehtësuar këtë proces të bashkëpunimit mes LDK-së dhe palëve të tjera. Çdo diskutim që është bërë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje me ish-partnerin qeverisës ka qenë një diskutim i bërë në mënyrë transparente dhe i bazuar në parime. Gjithçka ka qenë në tavolinë dhe e vendosur në mënyrë parimore. Ndërsa ajo që kemi parë deri më tani dhe lë dyshime, është se marrëveshjet me të tjerët janë bërë për pazare”, ka thënë ajo.

Anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje ka shprehur bindjen se Gjykata Kushtetuese do të marrë vendim në favor të partisë së saj pasi, siç ka thënë, argumentet juridike qëndrojnë në anën e tyre. “E drejta është në anën tonë. I kemi paraqitur të gjitha argumentet juridike. Pa dashur ta paragjykoj punën e Gjykatës Kushtetuese, po presim vendimin final”, ka shprehur mendimin Nagavci.

Duke folur për zgjedhjet e reja, Nagavci ka shtuar se nëse rezultatet janë të mira me pandeminë, vendi mund t’i organizojë zgjedhjet në gjysmën e muajit qershor.

“Nëse rezultatet janë më të mira në raport me gjendjen e pandemisë do të ishte shumë mirë që zgjedhjet të mbahen sa më parë. Ne kemi menduar që gjysma e qershorit, gjegjësisht 14 qershori do të ishte një datë e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Me besimin dhe shpresën që gjithçka do të jetë mirë me rezultatet e pandemisë”, u shpreh Nagavci.

Ndonëse në opinion u paraqit si refuzim i Komisionit të Venedikut ndaj kërkesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nënkryetarja e Kuvendit ka treguar se ky komision ndërkombëtar e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim dhe për t’u përgjigjur pas vendimit nga Gjykata Kushtetuese.

 

(B. D.: “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me dhjetëra qen, të rritur për t’u kthyer në ushqim…