E drejta në sigurime shëndetësore (Mit apo realitet)
Shkruan: Prof. Dr. Avni H. Alidemaj
E drejta për shërbime shëndetësore dhe mirëqenie sociale synon të nxisë një mjedis ku promovimi i shëndetit bashkëjeton me mbrojtjen e të drejtave civile dhe parimin e barazisë dhe drejtësisë. E drejta për shërbime shëndetësore është bërë shumë e rëndësishme me kalimin e kohës, si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Duke qenë se shëndeti dhe të drejtat e njeriut janë të lidhura ngushtë mes veti, është thelbësore të konvergjohet e drejta shëndetësore dhe politikat shëndetësore. Ndikimi i së drejtës shëndetësore në hartimin e politikave shëndetësore pritet të rritet, veçanërisht në Evropë, si rezultat i disa zhvillimeve, siç janë ndërkombëtarizimi i kujdesit shëndetësor dhe çështja e mbrojtjes së qytetarëve në përmasaglobale. Kjo kërkon një strategji për të nxitur një ndërveprim të frytshëm midis politikës shëndetësore dhe së drejtës shëndetësore.
Politikat shëndetësore dhe korniza ligjore përkatëse janë dy mjete të rëndësishme që shtetet mund të përdorin për të mbrojtur qytetarët nga kërcënimet e lidhura me shëndetin. Në varësi të nevojave shoqërore dhe nivelit të përparimit të përgjithshëm shoqëror, të drejtat shëndetësore mund të trajtohen nga perspektiva të ndryshme. Kryesisht, e drejta për shërbime shëndetësore analizohet dhe përditësohet përmes prizmit të shkeljeve/respektimit të të drejtave të njeriut në qasjen ndaj shërbimeve shëndetësore, si dhe mohimit dhe kufizimit të kësaj të drejte ndaj grupeve të përjashtuara dhe të margjinalizuara në shoqëri. Për më tepër, e drejta për shërbime shëndetësore, në cilindo kontekst të dhënë, shqyrtohet përmes prizmit të sociologjisë së të drejtës për të analizuar kornizën ligjore, efektet shoqërore dhe përshtatshmërinë e saj me nevojat aktuale të qytetarëve.
Qasja në shërbimet shëndetësore është padyshim një nga shtyllat e së drejtës shëndetësore. Kjo qasje është një e drejtë themelore e njeriut që shteti duhet ta përmbushë në raport me qytetarët. Cilësia dhe frekuenca e qasjes në shërbimet shëndetësore ndikohet shumë nga mbulimi me sigurim shëndetësor të qytetarëve. Në mënyrë të veçantë, çështja e sigurimit shëndetësor (i detyrueshëm, privat, hibrid, apo edhe plotësues) ndikon në cilësinë e jetës së qytetarëve dhe mungesa e tij në një kontekst të dhënë përbën një shkelje të madhe të të drejtave të njeriut. Përmbushja e së drejtës për shërbime shëndetësorendikon edhe në përmbushja e të drejtave të tjera, duke përfshirë të drejtën për jetë, ushqim, strehim, punë, arsim, etj. Detyrimi i shtetit për të siguruar përmbushjen e standardeve më të larta të shërbimeve shëndetësore për qytetarët e vet kërkon një përkushtim të madh dhe të vazhdueshëm. Kërkesa për ta përmbushur dhe respektuar të drejtën për shërbime shëndetësorenënkupton që shteti nuk mund të ndërhyjë ose të shkelë këtë të drejtë dhe po ashtu të parandalojë aktorët jo-shtetërorë nga ndërhyrja në çfarëdo mënyre në këtë të drejtë. Rrjedhimisht, shteti është i detyruar të miratojë ligje të nevojshme dhe të përshtatshme që rregullojnë dhe mbikëqyrin menaxhimin e shërbimeve shëndetësore duke siguruar qasje të plotë dhe gjithëpërfshirëse në kujdesin shëndetësor.
Në jetën e përditshme, qytetarët përballen me kufizime të ndryshme fizike, bëhen viktima të aksidenteve të ndryshme, preken nga sëmundje të ndryshme, ose madje lindin të sëmurë. Si rezultat, ata kërkojnë kujdes shëndetësor efikas dhe efektiv për të mbrojtur shëndetin e tyre. Sigurimi shëndetësor është një nga format më të zhvilluara të mbrojtjes sociale sepse u mundëson qytetarëve të kujdesen për shëndetin e tyre duke marrë parasysh të gjitha nevojat e tyre shëndetësore. Andaj, shumë vende të botës, sigurimit shëndetësor i referohengjithashtu si mbrojtje shëndetësore shtetërore për qytetarët e tij. Ndërsa sistemet e sigurimit shëndetësor janë përbërës të sigurisë sociale që synojnë të mbrojnë qytetarët nga rreziqet e lidhura me shëndetin. Sistemi i sigurimit shëndetësor është thelbësor për qytetarët në vendet në tranzicion, veçanërisht ato që kanë përjetuar konflikte të rënda. Kjo nevojë bazike shoqërore shpesh bie në fund të prioriteteve të reformës në shoqëritë në tranzicion, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike, sociale dhe shëndetësore.
Hartimit të sistemit të sigurimeve shëndetësor duhet paraprirënga një sërë veprimesh të studimeve të fizibilitetit dhe vlerësimit të nevojave aktuale të kontekstit të dhënë. Kjo fazë e domosdoshme, e cila zbulon specifikat e kontekstit dhe burimet njerëzore, teknike dhe financiare mbi të cilat duhet të projektohet vetë sistemi, shpesh neglizhohet nga vendet në tranzicion që nxitojnë të hartojnë politika publike, strategji dhe plane veprimi. Për më tepër, kjo qasje shpërfillëse është vërejtur në vendet e Ballkanit Perëndimor, me theks të veçantë në kontekstin e Kosovës. Financimi i sistemit shëndetësor të Kosovës ka qenë një çështje e debatuar që nga pas lufta, me hapat e parë të ndërmarrë midis viteve 2011 dhe 2014. Në vitin 2014 u krijua baza ligjore për Skemën e Mbrojtjes Shëndetësore. Megjithatë, pas hartimit dhe miratimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, nuk u morën hapa seriozë për ta zbatuar atë. Kosova vazhdon sistemin e financimit të drejtpërdrejtë mjekësor që e ndërkombëtarizoi menjëherë pas luftës së fundit. Mungesa e zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor ka çuar në një përkeqësim të ndjeshëm të cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke e lënë Kosovën nën mesataren ndër vendet e Ballkanit. Ligji për Sigurimin Shëndetësor i vitit 2014, i hartuar me pjesëmarrjen dhe konsultimin e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ka përmirësuar mundësitë si dhe ka zvogëluar sfidat me të cilat mund të përballet sistemi shëndetësor i Kosovës.
Megjithatë, nga viti 2015 deri më sot, nuk ka ndonjë përparim të dukshëm apo qoftë edhe një përpjekje sado e vogël për të zbatuar dispozitat e ligjit për sigurimin shëndetësor në Kosovë, në përjashtim të dispozitave për themelimin e fondit për sigurimet shëndetësore.
Një nga arsyetimet më të shpeshta të shprehura nga pushtetarët është nevoja për ndryshimin e ligjit ekzistues për shërbimet shëndetësore. Për më tepër, ankesat lidhen me faktin se ligji është hartuar pa asnjë studim paraprak të besueshëm të fizibilitetit, por vetëm bazuar në një analizë të disa nevojave, dhe për këtë arsye është e pamundur të zbatohet ky ligj. Megjithatë, shtatë vjet pas miratimit të ligjit, në korrik 2021, u krye një studim fizibiliteti mbi temën “Financimi i Kujdesit Shëndetësor – Transparenca, Digjitalizimi dhe Inovacioni.” Studimi u realizua nga firma zvicerane e konsultimit “Muller Healthcare Consulting-MHC,” e cila u kontraktua dhe financua nga Lux-Development, dhe u bazua në një marrëveshje të nënshkruar ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës dhe Organizatës për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Lux-Development. Rekomandime konkrete për institucionet përkatëse të përfshira në funksionalizimin e skemës së sigurimit shëndetësor janë dhënë në formë të raportit, si dhe afatet e mundshme për zbatimin e qasjes së reformës në financimin e sistemit shëndetësor publik të Kosovës.
Sistemi i sigurimit shëndetësor është një komponent thelbësor i sistemit të përgjithshëm të kujdesit shëndetësor. Rrjedhimisht, sigurimi shëndetësor luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve duke parandaluar rreziqet e shëndetit publik që mund të kenë pasoja të gjera në fusha të tjera të jetës. Kjo ishte veçanërisht e dukshme gjatë pandemisë COVID-19, kur një sistem i ngathët shëndetësor dhe mungesa e qasjes së barabartë në shërbimet shëndetësore patën pasoja katastrofike për shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Pasojat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të dukshme në arsim, ekonomi dhe mirëqenie sociale.
Institucionet politiko-administrative të Republikës së Kosovës kanë shprehur vazhdimisht dëshirën për të ndërtuar një shtet mirëqenieje sociale, por në fushën e shëndetësisë, veçanërisht në lidhje me sigurimin shëndetësor, dëshira është shprehur vetëm në mënyrë deklarative. Që nga miratimi i ligjit për kujdesin shëndetësor (2014-2015), nuk ka pasur asnjë reflektim pozitiv në shëndetin e qytetarëve. Miratimi i ligjit të sipërpërmendur rezultoi vetëm në krijimin e institucioneve të reja administrative (Fondi i Sigurimit Shëndetësor), të cilat nuk arritën të krijonin një bazë për funksionimin e këtij fondi mbi bazën e premiumeve të mbledhura, por në vend të kësaj funksionoj si një agjenci ekzekutive dhe një barrë shtesë për buxhetin e shtetit. Për më tepër, ky institucion u krijua për të zbatuar ligjin e sipërpërmendur dhe për të krijuar një sistem sigurimi bazuar në modelin e Bismarkut, ndërkohë që në praktikë dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore ka shfrytëzuar sistemin Beveridge.
Është e qartë se ligji për sigurimin shëndetësor u hartua duke pasur parasysh interesat e qytetarëve, pavarësisht presioneve të tërthorta nga qarqe të caktuara interesi që do të përfitonin nëse ligji do të ishte më i ekuilibruar dhe do të përfshinte komponentë fitimprurës në favor të palëve të interesit të sektorit privat. Andaj, përpjekjet e qeverive që nga viti 2015, e sidomos kjo e tanishme, do të duhej përqendruar në zbatimin e dispozitave të ligjit ekzistues për sigurime shëndetësore dhe në rast të paraqitje së ndonjë efekti negativ gjatë fazës së zbatimit të bëhen ndryshime dhe plotësime adekuate të kornizës ligjore. Në të kundërtën, siç është duke ndodhur tani, përqendrimi në hartimin dhe miratimin e kornizës së re ligjore do të shkaktoj vonesa të mëdha në funksionalizimin e sistemit të shërbimeve shëndetësore. Fundja, projektligji i ri për sigurime shëndetësore nuk ka sjellë ndryshime të mëdha e të cilat nuk do të mund të përfshiheshin si amendamente të ligjit ekzistues. Pra, shikuar nga prizmi i të drejtave të qytetarëve, e drejta në sigurime shëndetësore, rrjedhimisht në shërbime shëndetësore cilësore dhe gjithëpërfshirëse në Republikën e Kosovës do të vazhdoj të mbetet asgjë më shumë se një mit.