E dyta në sondazh, Haziri: LDK-ja e ka kthyer votën
Në emisionin Pressing është bërë publik rezultati i matjes së hulumtimit të fundit për partitë politike nga UBO Consulting, ku LDK del me rezultat 22.3% për përkrahje nga qytetarët.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se sondazhi nxjerr në shesh një indikacion që partia tashmë e ka të qartë.
Ai ka thënë se LDK po kthen votën e humbur.
“Konfirmohet që për LDK ka nisur rikthimi i besimit. Ne po kthejmë votuesin tonë, që kishte humbur besimin”, ka thënë Haziri në Pressing.
Sipas Hazirit, në LDK po kthehet besimi sepse LDK është hapur.
“Kjo vjen si pasojë e një hapje të LDK-së, një hapje të fillume, sepse asgjë nuk ka të përfunduar në LDK. Ne jemi opozitë, ne s’bëjmë opozitarizëm goditës, por opozitarizëm rekomandues. Përpiqemi ta këshillojmë qeverinë që ta përballojë krizën ekonomike, energjetike, në dialog”, ka thënë ai.
Sipas hulumtimit të UBO Consulting, të kryer fundjavën e kaluar, në zgjedhje VV do të merrte 37.3% të votave, PDK 21.7%, LDK 22.3% dhe AAK 7.7%.