‘E fshehët letrën e BE-së’, ‘doni ta kapni sistemin’ – Opozita synon ta dërgojë sërish në Kushtetuese Ligjin për KPK-në
Pozita dhe opozita sërish janë përplasur sot rreth Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), i cili vitin e kaluar është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, partitë opozitare kanë bërë me dije se ky projektligj nuk i ka marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të Komisionit të Venecias. Për këto arsyeje, opozita ka paralajmëruar që përsëri do ta dërgojë këtë dokument për shqyrtim në Kushtetuese.
Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar kryetarin e komisionin, Adnan Rrustemaj, për fshehje të letrës së Zyrës së BE-së në Prishtinë, e cila kishte përmendur vërejtjet ndaj projektligjit.
“Ajo që për mua është shqetësim është fakti se nuk na keni njoftuar se ju keni pranuar në adresën tuaj një letër nga Zyra BE-së në Kosovë, të cilën e keni pranuar më 15 maj, dhe ku ata ngrehin shqetësime që nuk janë adresuar gjetjet e raportit të Komisionit të Venecias. Madje thotë; ju rekomandojmë fuqishëm që ta rikonslutoni edhe një herë Komisionin e Venecias. Ky dokument nuk ju ka dërguar juve si emër i përveçmen, por si kryetar i komision, dhe si kryetar i komisionit ish dashtë me e nda me krejt anëtarët e komisionit që me e pa se çfarë faze jemi. Nuk po miratojmë ligje për një lagje, por për shtetin e Kosovës”, ka thënë Selmanaj.
Më tej, ai ka paralajmëruar se nëse nuk ndryshohet ky projektligj në Kuvend, LDK-ja do ta dërgon për shqyrtim në Kushtetuese.
“Më mirë është ta ndalin këtë proces tash, përkundër që e keni miratuar si komision dhe ta ktheni edhe një herë te qeveria në mënyrë që propozimi tjera të vijnë në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, por edhe me idenë që reforma në drejtësi të jetë vërtetë reformë dhe të mos deformohet sistemi. Po ju them që kjo çështje fatkeqësisht do të përfundojë përsëri në Gjykatë Kushtetuese. Sepse jemi të vendosur të mbrojmë kushtetutshmërinë në këtë vend”, është shprehur Slemanaj.
Ndaj kritikave të deputetit të LDK-së ka reaguar kryetari i Komisionit, Adnan Rrustemi.
Ai ka thënë se letrën e BE-së ua kishte dërguar vetëm anëtareve të Grupit Punës, të cilin e kishte formuar komisioni.
“Në mbledhjet dhe punëtoritë e organizuar nga Grupi Punës i drejtuar nga unë kanë marrë pjesë aktorë të ndryshëm institucionalë e partnerë ndërkombëtarë përfshirë edhe Zyrën e BE-së. Është trajtuar secili rekomandim i Komisionit të Venecias në raport me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, natyrisht në pikëpamje profesionale, jo politike, për me i dhënë adresimin adekuat. Në fund të fundit, Komisioni i Venecias ka dhënë rekomandime, nuk ka dhënë dispozita”, ka thënë Rrustemi.
Ndërsa, deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri, ka përmendur disa prej mangësive të projektligjit në fjalë.
“Unë mendoj se me këtë përbërje të Këshillit Prokurorial të Kosovës është ka cenohet pavarësia institucionale dhe mbi të gjitha po i hapen dyert këtij bordi, këtij institucioni me pas ndikim ë drejtpërdrejt politik”, është shprehur ai, duke bërë me dije se projektligji është në kundërshtim më Kushtetutën e Kosovës.
“Po mendoj se qasja është gabim, vendimmarrja është ka rrezikohet dhe unë ju tregoj epilogun. Si të shkon ky ligj në Gjykatë Kushtetuese bije, sepse nuk është trajtuar rekomandimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Tahiri.
Edhe deputeti i PDK-së ka bërë me dije se Projektligji për Këshillin Prokurorial do të rrëzohet nga Kushtetuesja.
“Ky ligj si i tillë nuk e kalon filtrin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Sepse ka dhjetëra elemente që e shkelin Kushtetutën. Ndërsa kryetar të kisha rekomanduar edhe një herë që letrat që kanë kësi natyre duhet t`i drejtosh të anëtarët e komisionit, përves te grupet punese”, është shprehur Beqaj.
Në fund të debatit, raporti i komisionit me amendamentet rreth këtij projektligji është miratuar me 6 vota “për” dhe tri “kundër”.