E gjithë Islanda ka përcjellë ndeshjen e kombëtares së tyre
Populli i Islandës vazhdon të shfaqë dashuri pakushte për futbollin, për ekipin e vet kombëtar në veçanti.
Një vend shumë i vogël, me një popullsi prej vetëm 334,252 banorë, islandezët kanë treguar përkushtim dhe pasion të madh për futbollin dhe këtë më së miri e kanë dëshmuar përmes ekipit të vet kombëtar, shkruan Gazeta Express.
Islanda bëri bujë të madhe me paraqitjet e saj në Kampionatin Evropian “Euro 2016”, të cilën është duke e vazhduar edhe në Kupën e Botës “Rusia 2018”, ku e ndali Argjentinën e Lionel Messit me një barazim 1-1.
Sipas Federatës së Futbollit të Islandës, hiç më pak se 99.6% e islandezëve që u ulen para televizorit të shtunën në mesditë e shikuan ndeshjen debutuese të Islandës kundër Argjentinës të shtunën në Rusi.
“Shpesh flitet për faktin se i gjithë populli qëndron pas djelmoshave tanë, kjo mund të konfirmohet sot: 99.6% e të gjithë njerëzve që po shikonin televizion në Islandë gjatë ndeshjes Argjentinë vs Islandë në Kupën e Botës në Rusi, po e shikonin ndeshjen”, shkroi FFS në Twitter.