E gjithë kjo javë, me shi dhe borë
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës në njoftimin e së dielës ka bërë të ditur se kjo javë do të karakterizohet me mot kryesisht të vranët, me reshje shiu dhe bore.
“Reshjet e shiut do të fillojnë sot për të vazhduar gjatë natës, ditës së hënë dhe të martën. Në fushat termike do të ketë rënie sidomos në vlerat e temperaturave minimale. Këto reshje gjatë orëve të vona të ditës së hënë parashihen të shndërrohen në reshje dëbore”.
Deri të premten, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri në 4 gradë celsius, derisa ato maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 3-13 gradë celsius.
Njoftimi i plotë:
Parashikimi i motit për pesë ditë (29 nëntor – 03 dhjetor 2021)
Vendi ynë gjatë këtyre pesë ditëve të parashikimit do të jetë nën ndikimin e masave të ajrit me presion të ulët atmosferik. Kjo situatë e parashikuar meteorologjike do të kushtëzojë mot kryesisht të vranët, por nuk do të mungojnë edhe intervalet e shkurta me diell ditën e mërkurë. Reshjet e shiut do të fillojnë sot për të vazhduar gjatë natës, ditës së hënë dhe të martën.
Në fushat termike do të ketë rënie sidomos në vlerat e temperaturave minimale. Këto reshje gjatë orëve të vona të ditës së hënë parashihen të shndërrohen në reshje dëbore.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -4 deri 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 3-13. Të premten sërish do të ketë zhvillim të vranësirave të cilat parashihen të sjellin reshje. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-12 m/s.