“E kam kryer detyrën time”, Aliu flet për vizitën në Beograd

18 nëntor 2021 | 11:38

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se në vizitën e fundit në Beograd ka treguar se do të ndërtohet hekurudha Durrës – Prishtinë. Pa u ndërtuar kjo hekurudhë, Aliu ka thënë se nuk do të ketë asnjë lloj lidhjeje me Serbinë.

Këto komente Aliu i ka bërë duke iu përgjigjur pyetjes së deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, e cila e ka pyetur se “çfarë obligimesh keni marrë në Beograd?”.

“Të gjitha këto që po i thoni janë konkluza të juaja dhe mund të deklaroni çfarë të doni. Në Beograd ua kam bërë të qartë që do ta ndërtojmë hekurudhën Durrës – Prishtinë. Dhe pa e bërë hekurudhën Durrës – Prishtinë, nuk ka asnjë lloj lidhje tjetër me Serbinë. Edhe me Malin e Zi e kemi diskutuar shumë qartë hekurudhën Deçan – Plavë. Këtë ua kam sqaruar edhe në Beograd”, ka thënë Aliu.

Ai ka theksuar se “kjo ka qenë detyrë e imja dhe e kam kryer detyrën time”.

Më tutje, Aliu ka treguar edhe planet e tjera për linjat hekurudhore.

“Prishtinë- Pejë, hekurudha që është aktuale do të modernizohet dhe e kemi futur në buxhetin e vitit që vjen. Hekurudhën Klinë – Prizren do ta funksionalizojmë fillimisht, e më pas mbase do të vjen puna të modernizimi. Kjo hekurudhë ka me qenë urëlidhëse në mes të portit të Durrësit dhe Prishtinës”, është shprehur Aliu.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi, ia ka…