E kam parë draft-statutin, pika 7 e shkel Kushtetutën e Kosovës
Haki Abazi, ish-zëvendëskryeministër dhe deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, ka folur për draft-statutin evropian për Asociacionin.
“Pyetja thelbësore është, pse duhet me ardhë Lajçaku me na fol për draft-statutin. Herën e fundit Kurti tha Lajçaku është pro-Serbisë dhe nuk përfaqëson BE-në. Nuk është e rëndësishme aspak tani përmbajtja e draftit. Po të ishte në favor të Kosovës, sigurisht që do të kishte rrjedhë, do të kishte dalë, por të gjithë janë të frikësuar. Kurti ka ardhë në pushtet kundër këtij Asociacioni”, u shpreh Abazi.
Abazi tha “se Asociacioni e shkel Kushtetutën e Kosovës”.
“E kam parë draft-statutin evropian. Në pikën 7 e shkel Kushtetutën e Kosovës”, tha Abazi.
Sipas deputetit Abazi, “draft-statuti që iu dha kryeministrit të Kosovës, e shkel Kushtetutën me dy këmbë”.
“Kurti ka thënë se kur ta pranojë (draft-statutin) do ta shikojë Gjykata Kushtetuese”, u shpreh tutje Abazi.
Abazi ka thënë se e ka parë draft-statutin por nuk i është prezantuar nga pala kosovare.
“Pika 7 dhe pika 10 janë në kundërshtim me Kushtetutën tonë”, vazhdoi tutje Abazi.
Abazi, ka thënë po ashtu se lidhur me këtë draft-statut që i është prezantuar Kosovës, Kurti “ e ka pranuar edhe themelimin e Asociacionit”.
“Kanë thënë se pa i vënë Serbisë sanksione nuk bisedojmë. Pse nuk i qëndruan këtyre qëndrimeve por (Kurti) e shtriu kurrizin. Kurti është vënë sot në pozicionin më të dobët”, u shpreh Abazi.
Sipas tij, “ajo çka ka pranuar Kurti është sikur pushteti i tretë”.
Presidentja e Kosovës, ka thënë se draft-statuti nuk e shkel Kushtetutën e Kosovës. Abazi e komentoi këtë deklaratë.
“Presidentja e di draft-statutin. Do të ishte paradoksale që kryeministri ta ketë e presidentja jo. Deklarata e saj ishte e kujdesshme. Pyetja është, a do të shkojë dhe nga kush do të shkojë në Kushtetuese ky draft. Nëse bëhet shkelja e Kushtetutës, sigurisht do të ketë reagime edhe ndaj saj”, shtoi Abazi.
I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën ka përmbyllur vizitën e tij dyditore në Kosovë, duke zhvilluar takime me përfaqësuesit e partive opozitare dhe me ambasadorët e akredituar në Kosovë, me të cilët ka biseduar për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që u është prezantuar në fund të tetorit Prishtinës dhe Beogradit. /ATV