E kemi mësuar gabim: Kristofor Kolombi nuk e zbuloi Amerikën?

21 korrik 2023 | 08:55

Amerikanët e kanë ditë pushimi 12 tetorin për të festuar Ditën e Kolombit. Përkujthet 12 tetori i vitit 1492, kur eksploruesi italian Kristofor Kolombi zyrtarisht shkeli në Amerikë dhe e shpalli atë tokë të Spanjës. Si festë kombëtare daton që nga viti 1937.

Zakonisht thuhet se “Kolombi zbuloi Amerikën”. Do të ishte më e saktë ndoshta të thuhet se ai e prezantoi Amerikën tek Evropa Perëndimore, gjatë katër udhëtimeve të tij në rajon midis viteve 1492 dhe 1502.

Është gjithashtu me vend të thuhet se ai hapi rrugën për një fluks masiv të evropianëve perëndimorë që përfundimisht do të formonin disa kombe të reja përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë dhe Meksikën. Por të thuash se ai “zbuloi” Amerikën është një term disi i gabuar pasi aty kishte shumë njerëz kur ai mbërriti.

Kristofor Kolombi në Tokën e Re - pikturë historike
Kristofor Kolombi në Tokën e Re – pikturë historike

Po para Kolombit?

Pra, cilët ishin njerëzit që me të vërtetë meritojnë të quhen amerikanët e parë?
Zëri i Amerikës pyeti zotin Michael Bawaya, redaktor i revistës Arkeologjia Amerikane. Ai thotë se njerëzit e parë erdhën këtu nga Azia ndoshta “jo më vonë se rreth 15,000 vjet më parë”.

Ata ecën përgjatë shtegut Bering, që lidhte në atë kohë atë që tani është shteti amerikan i Alaskës me Siberinë. 15 mijë vjet më parë, nivelet e oqeanit ishin shumë më të ulëta dhe toka midis kontinenteve ishte qindra kilometra e gjerë.

Zona duhet të ketë ngjasuar me atë që shohim sot me gadishullin Seward të Alaskës. Tundra të zhveshura dhe të thata. Por, megjithë kushtet e pafavorshme, jeta atje lulëzoi.

Sipas Shërbimit Kombëtar Amerikan të Parqeve, “shtegu luajti një rol jetësor në përhapjen e jetës së kafshëve dhe bimëve mes dy kontinenteve. Shumë lloje kafshësh lëvizën nga një kontinent në tjetrin përmes shtegut Bering. Zogjtë, peshqit dhe gjitarët detarë krijuan modele migrimi që vazhdojnë edhe sot e kësaj dite”.

Arkeologët thonë se njerëzit ndoqën të njëjtën rrjedhë, përmes gjuetisë për ushqim, ujë dhe strehim. Pasi mbërritën, njerëzit u shpërndanë në të gjithë Amerikën e Veriut dhe përfundimisht në Amerikën Qendrore dhe atë të Jugut.

Deri në vitet 1970, amerikanët e parë quheshin Klovis. Ata e marrin emrin e tyre nga një vendbanim i lashtë i zbuluar pranë Klovisit, në Nju Meksiko, që daton mbi 11,000 vjet më parë. Dhe AND-ja e tyre sugjeron se ata janë paraardhësit e drejtpërdrejtë të gati 80 përqind të të gjithë njerëzve autoktonë në Amerikë.

Por historia shkon më tej. Sot, besohet gjerësisht se para Klovisëve, kishte njerëz të tjerë dhe siç thotë zoti Bawaya, “ata në të vërtetë nuk janë identifikuar”. Por ka pasues të tyre në shtetet amerikane të Teksasit dhe Virxhinias, e deri në jug si Peruja dhe Kili. Ne i quajmë ata, për mungesë të një emri më të mirë, njerëzit para-Klovisëve.

Dhe për t’i bërë gjërat më të komplikuara, zbulimet e fundit mund ta shtyjnë mbërritjen e njerëzve në Amerikën e Veriut edhe më pas në kohë. Mbase deri në 20,000 vjet ose më shumë më parë. Por shkenca këtë teori nuk e ka vërtetuar ende.

Përsëri tek evropianët

Kështu që tani për tani, Klovisët dhe para-Klovisët, të zhdukur prej kohësh, por ende ekzistues në kodin gjenetik të pothuajse të gjithë amerikanëve vendas, meritojnë nderimin për zbulimin e Amerikës.

Ata mbërritën në bregun perëndimor. Po të ardhurit nga lindja? A ishte Kolombi i pari evropian që vështroi parajsën e gjelbëruar që duhet të ketë qenë Amerika shekuj më parë?

Jo.

Ka prova se evropianët vizituan atë që tani është Kanadaja rreth 500 vjet para se Kolombi të nisej. Ata ishin vikingët dhe provat e pranisë së tyre mund të gjenden në ishullin kanadez të Njufaundlendit në vendin e quajtur l’Anse Aux Meadows. Tani ai është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Sot zona është e djerrë. Por një mijë vjet më parë aty kishte pemë kudo dhe zona me gjasë është përdorur si vend ndalimi gjatë dimrit. Atje Vikingët rregullonin anijet e tyre dhe qëndronin gjatë motit të keq. Nuk është mjaft e qartë nëse zona ka qenë një vendbanim i përhershëm, por është e qartë se Vikingët ishin aty shumë përpara Kolombit.

Një mister i fundit

Dhe për të shtuar një tjetër hallkë në historinë e zbulimit të Amerikës, të hedhim një vështrim tek patatja e ëmbël.

Bima e njohur e Amerikës së Jugut ka qënë në Polinezi 1000 vjet më parë.

Atëherë, si mbërriti atje?

Duke krahasuar ADN-në e patateve të ëmbla polineziane me ato të Amerikës së Jugut, shkencëtarët mendojnë se është e qartë që dikush ose i çoi në Polinezi pasi vizitoi Amerikën e Jugut, ose banorët e ishujve i sollën nga Amerika e Jugut kur po eksploronin Oqeanin Paqësor.

Përzjerje kulturash

Pra, çfarë përfundimi mund të nxjerrim nga të gjitha këto?

Këtu në Zërin e Amerikës, ne përpiqemi të tregojmë historinë e Amerikës. Dhe ajo që është e qartë është se Amerika ka qenë një përzjerje kulturash qindra vjet para se Statuja e Lirisë të fillonte t’i bënte thirrje botës: “Më jepni të lodhurit tuaj, të varfrit tuaj, ata që dëshirojnë të marrin frymë të lirë”.

Në fakt, Amerika e Veriut dhe e Jugut janë poliglote kulturash që shtrihen para se të fillonte të shkruhej historia. Dhe njerëzit kanë ardhur që nga ajo kohë këtu, në kërkim të një jete më të mirë, ushqimi të bollshëm, dhe mundësish të shumta.

Sot ndoshta, jo shumë ka ndryshuar.? / VOA

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga të mesnatës Nga Aurel Plasari Mund të ketë mbetur…