E kemi obligim profesional t’i mbështesim fermerët vendor
Shkruan: Prof. Imer Rusinovci
Kuadrot profesionale janë të duhura vetëm nëse e respektojnë profesionin dhe realizojnë rezultate konkrete. Përndryshe, duhet të mësohemi ta duam punën tonë. Kjo arrihet kur përpiqemi t’i kuptojmë përgjegjësitë e profesionit. Në fakt, është një punë kaq e rëndësishme saqë përgjegjësia e agronomëve është më e madhe se e shumë profesioneve tjera. Të përpiqemi ta fuksionalizojmë bujqësinë me fermerë të përgjegjshëm. Që ta formojmë karakterin e duhur agronomik, nuk është detyrë e lehtë. Vlerat agronomike nuk mund të mësohen, nëse nuk demonstrohen në praktikë. Fermerët do të na respektojnë neve si agronomë, vetëm nëse i transferojmë standardet e duhura në praktikën agronomike. Nëse nuk e praktikojmë atë që e kemi mësue në studime, pse fermerët duhet të na respektojnë.
Nuk kemi nevojë t’u japim informacione teorike fermerëve, porse duhet të përkushtohemi t’ua ndezim mendjet e tyre në praktikë, në zbatimin e teknologjive kultivuese në afate të përshtatshme që ata të gjejnë pasione në bujqësi. E gjithë kjo është e mundur nëse zhvillojmë mendime pozitive dhe u gjejmë zgjidhje për problemet që e preokupojnë bujqësinë tonë. Edhe më lehtë këto synime i arrijmë në praktikë nëse dakordohemi, respektojmë vlerat dhe i fillojmë punët konkrete me mendje të ndritura.
Nuk ka logjikë që fermeri në Kosovë blen gjithçka me pakicë, shet gjithçka me shumicë dhe paguan ngarkesa në të dyja drejtimet!