E kërcënuan Mbappen me një këngë, Belgjika i kërkon falje yllit të Real Madridit

30 qershor 2024 | 09:36

Belgjika i ka kërkuar falje Kylian Mbappes pasi ata postuan një video të lojtarit të tyre Amadou Onana i cili këndonte duke thënë se do ta ketë objektiv këmbën e Mbappes gjatë përballjes së tyre në fazën e 1/8 së finales në Euro 2024.

Videoja tregonte mesfushorin e Evertonit së bashku me komedianin belg Pablo Andres duke kënduar një këngë për Mbappen.

Komediani këndonte: “Kush do ta godasë këmbën e Mbappes?”, para se Onana të këndonte më pas, “Onana, Amadou Onana!”.

Pasi videoja shkaktoi reagime të mëdha në rrjetet sociale, Federata e Futbollit të Belgjikës e fshiu atë dhe më pas kërkoi falje. Në konferencën për shtyp para ndeshjes, zyrtari për media i Belgjikës, Stefan Van Loock tha se qëllimi i tyre nuk ishte që të sulmojnë dikë.

“Nuk ishte qëllimi që të sulmojmë dikë. Ne kemi punuar me komedianin Pablo Andres për një kohë të gjatë, kjo video supozohej të ishte qesharake”.

“Por ne e kemi keqkuptuar këtë dhe do të donim që të kërkonim falje ndaj secilit që është ndjerë i ofenduar nga ne. Për neve, ky është fundi i këtij problemi”, ka thënë Van Loock.

Dy shtetet fqinje do të përballen me njëra-tjetrën në kuadër të fazës së 1/8 së finales të hënën, aty ku belgët do të kërkojnë hakmarrjen e tyre për humbjen me rezultat 1-0 që Franca ua shkaktoi në gjysmëfinale të Botërorit të vitit 2018.

Ani pse shumë prej lojtarëve nga “gjenerata e artë” janë pensionuar, Kevin De Bruyne dhe Romelu Lukaku kanë vazhduar me paraqitjet e tyre të mira, madje ky i fundit kishte tre gola të anuluar në fazën e grupeve.

Franca në anën tjetër nuk i ka mbushur ende pritshmëritë duke marrë parasysh kualitetin që posedon.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Varfëria, mungesa e fuqizimit të sektorit prodhues, mospërkrahja e bizneseve,…