E kisha djalin më të mirë…

07 maj 2020 | 11:33

Vesel Rexhep Haxha-Galica atdhetar, luftëtar dhe mentar i shquar (6)

Shkruan: Bedri TAHIRI

Njeri për mua është ai që vete të paktën njëherë në muaj në varreza.
(L. Poradeci)

Kur fëmijët i përcjellin prindërit e vet në atë botë është e natyrshme. Përkundrazi, kur prindërit i përcjellin fëmijët e tyre në botën e amshueshme, është gjë e rëndë dhe gati- gati e papërballueshme. Madje, kur ajo ngjet në rrethana të jashtëzakonshme, siç është lufta dhe të vjen në mënyrën më të tronditëse, ajo bëhet shumëfish më e rëndë. Në këto raste, ajo lë gjurmë të pashlyera në kujtesën prindërore e familjare, saqë, as nuk mundesh ta përfytyrosh, as ta ritregosh, as ta shpjegosh, as ta kujtosh, por, larg qoftë, as kurrë, për jetë të jetëve, nuk do ta harrosh.

Mua, duke shkruar kryesisht për dëshmorët, më ka rastisur shpesh të ballafaqohem me të tilla situata të palakmueshme. Mirëpo, rast i veçantë ishte ai i prindërve të dëshmorit Bahri Haxha. Me babanë e tij, Rexhep Haxhën, e pata me të lehtë, sepse ishte si burrë i motit, i fortë e i pathyeshëm. I tillë kishte qenë edhe ditën kobtare, kur para syve ia vran djalin! I tillë u tregua edhe atë ditë kur biseduam për atë ngjarje të dhimbshme, por krenare. Po me të ëmën, Halimen, si do t’ia bëja vallë?! Kjo pyetje më torturonte e më mundonte dhe një kohë të gjatë as që provova të bisedoja me të. Hezitoja, sepse kisha frikë mos po e lëndoja shpirtin e saj të trazuar dhe paskëtaj do të ndjehesha i prekur. Ama, sa më shpesh që rrija me të, e kuptoja se ishte grua burrërore, siç i thonë një fjale.
Dhe, një ditë, pikërisht në përvjetorin e dhjetë të rënies së djalit, pra më 2 maj 2009, vendosa që ta shtrojmë kuvendimin për djalin e saj, Bahriun. Vajta në konakun e tyre dhe një copë herë nuk merrja guxim ta hapja bisedën e paramenduar. Xha Rexhepi, me zhdërvjelltësinë e tij oratorike, na e përgatiste terrenin…
“Unë linda 12 fëmijë dhe të gjithë i desha njësoj, ama për Bahriun, ndoshta pse e pata më të mirin djalë, zemra më rrahte më shumë. E kisha më të mirin dhe me të veçuarin. Shkurt, e doja më së shumti,- nis të flasë ajo pasi na ka shërbyer me kafe e me çaj. Fjalët e para i dalin pakëz me zor dhe përpiqej të mos tradhtohej nga vetja e të ngashërehet. Edhe unë, i sprovuar me këso rastesh, rrija sikur i shkujdesur dhe i dhënë pas lapsit e letrës…
… Që nga momenti kur ka lindur ishte ndryshe nga të tjerët; i dashur, i buzëqeshur, i kthjelltë, i zhdërvjelltë, i ndjeshëm, i dhimbshëm dhe mbi të gjitha shumë kureshtar. Çdo gjë i interesonte, sidomos historia e të parëve. Babanë e vet, Rexhepin, kurrë nuk e linte të qetë. E pyeste e ç’nuk e pyeste. Herë- herë më dukej se e lodhte. Dhe, ky, pa përtesë ia rrëfente të gjitha, fije për pe. Këto histori e kallëzime ndikuan në shpirtin e tij të njomë, i cili, dalëngadalë u formësua derisa shpërtheu si vullkan i pashuar. Për simbolet kombëtare shkrihej. Sidomos i pëlqente plisi i bardhë, të cilin një kohë të gjatë edhe e ka bartur. Me këtë plis ka luftuar Azem Galica dhe trimat tjerë,- thoshte vazhdimisht dhe nuk e hiqte nga koka.
Ende pa i mbushur mirë gjashtë vjet, shkoi në shkollë. Provuam ta ndalnim, por kot. Ishte ndër nxënësit më të mirë në shkollë. Nga natyra ishte pak i gjallë, në shtëpi bënte probleme të vogla, por të lezetshme. Nga shkolla kurrë nuk më solli probleme. Diku në klasën e gjashtë e pati shkruar një parullë a si thoshin atëherë dhe na nxori pak telashe ne dhe shkollës, por edhe ajo kaloi…
Kuvendimi ynë po rridhte qetë- qetë, ashtu siç është edhe natyra e vet rrëfimtares. Pasi na solli edhe nga një çaj, u ul në vendin e vet dhe vazhdoi:
…Bahriu kishte dy dashuri kryesore: librin dhe atdheun! Lexonte natën e ditën. Sa e sa herë e kam gjetur fjetur me libër mbi fytyrë. Lexonte derisa e mashtronte gjumi. Kur shkoi në Prishtinë edhe më shumë iu shtuan mësimet dhe telashet. Atje u lidh me grupet e studentëve dhe i kërkonin të drejtat tona që na i kishte marrë hasmi ynë i pabesë, Serbia. Një natë ra vonë dhe më tha:
– Nënë, nesër zgjomë herët se ashtu e kemi lënë me shokë me u takue në Prishtinë.
– Pse, lum nëna,- ia prita unë.
– Do të dalim në protesta, oj nënë, dhe do të kërkojmë atë që na takon!
– Mos shko se është rrezik,- i thashë dhe e luta që të më dëgjonte kësaj here.
– Ah, moj nënë, po ata të tjerët të kujt janë? Ata nuk paskanë nëna?! Duhet të kesh besim se vdekja nuk të fal, ajo nëse e ka vendos të vjen e të gjen ku të jesh. Mos e ke harruar atë nënën që djalin e vet e kishte ndarë nga shokët dhe kur aeroplani ishte rrëxuar dhe të gjithë ata ishin mbytur edhe kjo djalin e vet e gjeti të vdekur në shtrat!
Më bindi mua të shkretën dhe e thirra herët. Kur u nis më përqafi dhe më tha mos u mërzit për mua nënë. Shko bir dhe mos u ndaj nga shokët!- e urova me loçkë të zemrës. Edhe unë tashmë isha bërë me ta. Në mbrëmje u kthye i përgjakur. Kishte pasur demonstrata të mëdha dhe policia serbe ishte lëshuar mbi ta egërsisht. Bile, kur u kishin hedhur ujë dhe gaz lotësjellës, një vajzë ishte kurthuar dhe kishte ngelur mbi një mur. Bahriu kishte rrezikuar dhe e kishte ndihmuar të kalonte matanë. Tashti në televizor kur i shoh ato skena tmerrohem (Është fjala për protestat e 1 tetorit 1998).


Kur e mbaroi shkollimin e mesëm, Bahriut i vjen ftesa për rekrutim në Ushtrinë Jugosllave.
– Jo, kurrë nuk i shërbej ushtrisë së një pushtuesi!- tha ai, duke e bërë ftesën copë- copë.
Fill pas këtij veprimi të guximshëm duhej larguar paksa nga shtëpia. Disa ditë i kaloi në Galicë, të kushërinjtë e vet e pastaj edhe ta dajat, në Klinë të Epërme. Ato ditë, ishte fundi i vitit 1991, u sulmua komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. Ishte ky sulmi i parë i 31 dhjetorit 1991. Kur u mobilizuan drenicasit për t’i vajtur në ndihmë familjes Jashari dhe komandantit të tyre, edhe Bahriu u gjend në mesin e atyre që kishin ndarë mendje ta bënin vdekjen si me le. Për fat, forcat serbe kishin nuhatur situatën dhe ishin tërhequr me bisht nën këmbë…
Kur ma morën burrin në burg, policia na trazoi edhe më shumë. Vinin në emër të kërkimit të armëve a në fakt e kërkonin djalin. Për fat sa herë vinin atë nuk e gjenin aty. Një ditë na kishin rrethuar keq. Shumë policë të armatosur u rrasen brenda dhunshëm. Pasi kontrolluan dhe demoluan çdo gjë, ma moren djalin tjetër, Veselin. Unë u bëra e fortë dhe nuk iu ndava. Ashtu, lëmsh shkuan deri tek automjetet e tyre dhe nuk lëshoja pe. Dikur, një si epror sigurisht u tha diçka serbisht dhe na liruan.
Kur plasa lufta në Kosovë, të gjthë u bëm një. Armiku duhej hequr qafesh njëherë e përgjithmonë. Edhe kësaj radhe Bahriu më tha: Nënë po shkoj në luftë! Shko dhe hallall gjini i nënës se liria pa gjak nuk fitohet!- ia ktheva pa më bërë zemra vërr…
Dhe, kur arritëm të nata kobtare, rrëfimi i saj ndërpritet. Tashmë, zemra e saj ishtë rënduar nga vitet dhe nga dhimbja, andaj nuk qe në gjendje të vazhdojë tutje…

(Vijon nesër)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aeroporti “Adem Jashari” ka njoftuar se do të ketë disa…