E kishim parasysh se, kur dy të parët bëhen bashkë, i dyti dëmtohet
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga LDK-ja, Kujtim Shala, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se LV-ja, po të dëshironte, do të futej në koalicion me LDK-në para zgjedhjeve në një listë të përbashkët me një kandidat për kryeministër nga LDK-ja. Ai, po ashtu, tha se LV-ja nuk do të futej në koalicion me LDK-në po t’i fitonte kjo e fundit zgjedhjet.
“Po të donte LV-ja të bëhej partnere do të hynim në garë bashkë me kandidatin tonë për kryeministër”, ka thënë ai.
“Nëse do të ishim parti e parë LV-ja s’do të bëhej partnerja jonë”, shton Shala.
Më tutje, ai ka thënë se pse kanë pasur një marrëveshje politike para zgjedhjeve për bashkëqeverisje dhe pse u ndanë rrugët. “Gjithmonë kam pasur parasysh se bashkëpunimi i partive opozitare është pak më i thjeshtë sesa kur ulen dhe bisedojnë për qeverisje të përbashkët. Ne kishim një marrëveshje politike për të qeverisur bashkë, ndryshe nuk do t’ia jepja votën për ta krijuar qeverinë. Qytetarët votojnë vetëm përfaqësuesit e tyre. Unë mora votë si LDK”, tha ai.
“E kishim parasysh se, kur dy të parët bëhen bashkë, i dyti dëmtohet”, shtoi Shala.