E konfirmon Berlini, Scholzi në Prishtinë më 10 qershor

03 qershor 2022 | 17:16

Javën e ardhshme, kancelari gjerman, Olaf Scholz do të bëjë një vizitë dyditore në Ballkanin Perëndimor. Kështu është konfirmuar nga Berlini.

Ndalesat e para në turneun dyditor të Olaf Scholz-it në Ballkan do të jenë Kosova dhe Serbia më 10 qershor.

Sipas zëdhënësit të kancelarit gjerman Wolfgang Bichner, ndër të tjera është planifikuar një vizitë në trupat gjermane të KFOR-it në Kosovë, raporton “DW”.

Më pas, Scholzi do të shkojë në Selanik, me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, ku do të bashkohet në mbrëmje me përfaqësues të vendeve të nismës rajonale “Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP)”.

Të nesërmen, më 11 qershor, kancelari gjerman niset për në Maqedoninë e Veriut dhe më pas për në Bullgari.

Sipas një deklarate nga zyra e kancelarit, fokusi i udhëtimeve të Olaf Scholz do të jetë perspektiva e BE-së e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe tejkalimin e bllokadave dypalëshe. Përveç kësaj, shtohet, tema qendrore do të jetë reagimi i mëtejshëm i përbashkët ndaj luftës së agresionit rus kundër Ukrainës.

Javën e kaluar, Scholzi ka paralajmëruar se do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor përpara mbledhjes së Këshillit të Evropës, duke sinjalizuar se ky rajon i përket BE-së.

Në konferencën e së premtes së kaluar, Scholzi ka thënë se integrimi i gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE nuk është më çështje e besueshmërisë së BE-së, por edhe e interesit strategjik të kësaj të fundit.

Drejtuesi i qeverisë gjermane ringjalljen e Procesit të Berlinit e ka përmendur edhe në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pas takimit që patën në Berlin.

Kurti, në anën tjetër, në po të njëjtën konferencë ka thënë se Kosova e mbështet Procesin e Berlinit e jo iniciativat paralele, duke aluduar në Ballkanin e Hapur.

Nga Procesi i Berlinit, janë katër marrëveshje të lëna peng nga kancelaria e kaluar që janë kërkuar të arrihen me urgjencë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë si vijojnë: liria e udhëtimit me ID, lirinë e udhëtimit për shtetasit e vendeve të treta dhe për njohjen e kualifikimeve akademike dhe njohjen e atyre profesionale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri dhe shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun…